Dita e sotme shënoi fillimin e trajnimit 4 ditor me oficerë të Policisë së Shtetit, për policimin e krimeve të urrejtjes dhe diskriminimit ndaj komunitetit LGBTI në Shqipëri. Trajnimi organizohet nga Komiteti i Helsinkit të Holandës dhe Policia Holandeze, në bashkëpunim me organizatat partnere në Shqipëri Aleanca kundër diskriminimit LGBT dhe Pro-LGBT.
Gjatë ditëve në vijim, synohet trajnimi i trajnuesve policë për një reagim profesional të tyre në trajtimin e krimeve me bazë urrejtjen dhe diskriminimin. Pjesëmarrësit në trajnim janë 7 trajnues dhe 12 oficerë policie nga Tirana, Vlora, Lezha dhe Kukësi, të cilët më pas pritet të përcjellin njohuritë e marra te kolegët, në vijim të një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet Holandeze dhe 4 Bashki, të cilat asistojnë direkt qytetet e sipërpërmendura përmes marrëveshjes së binjakëzimit që është nënshkruar vitin e kaluar.
Trajnimi përbëhet nga module të ndryshme të cilat fokusohen te kuadri ligjor i cili i siguron mbrojtjen komunitetit LGBTI, praktikat e vendeve evropiane, raste studimore të cilat do të trajtojnë më në thellësi problemet më të hasura dhe një analizë të punës së deritanishme të autoriteteve policore të vendit dhe se si ato mund të përmirësojnë qasjen ndaj komunitetit.
Pjesë e trajnimit do të jenë dhe raportet e organizatave tona mbi trajtimin e komunitetit LGBTI nga autoritetet e vendit dhe produktet e punës tonë të përditshme me komunitetit, të cilat do të sjellin një panoramë më të qartë për punonjësit e policisë dhe do të mundësojnë dhe nxitjen e dialogut të mëtejshëm dhe bashkëpunimit.
Artikuj të rekomanduar
- Policia Shqiptare dhe organizatat LGBT pjesë e së shtunës rozë në Holandë
- Policia e Shtetit dhe komuniteti LGBTI+: Sa të sigurtë ndihen personat LGBTI+ për të raportuar ngacmimet?