President Donald Trump këmbënguli të dielën se katër ligjvënëset demokrate që u përkasin pakicave, me të cilat ai është konfliktuar kohët e fundit, nuk janë “të afta për ta dashur vendin tonë”.
Pas disa deklaratave dhe postimeve që nga shumë u konsideruan si raciste dhe diskriminuese, përplasjet vijojnë duke tensionuar më tej klimën politike të brendshme në SHBA.
Në një takim elektoral të javës së shkuar në Karolinën e Veriut, presidenti Trump akuzoi përfaqësuesen demokrate Ilhan Omar si të paaftë për të përfaqësuar interesat e popullit amerikan. Ai deklaroi se nëse ajo dhe përfaqësueset e reja në kongres nuk janë të kënaqura me Amerikën, mund të rikthehen në vendet e tyre të prekura nga krimi dhe varfëria.
Pas deklaratave të Trump në takimin e Karolinës së Veriut, turma filloi të bërtiste në kor, “send her back” (“kthejeni nga ka ardhur”), duke sjellë reagime të ashpra në kampin demokrat dhe shtim të akuzave ndaj Trump për racizëm.
Omar është e para përfaqëusese në Kongresin Amerikan me origjinë somaleze, e cila në zgjedhjet afatmesme të nëntorit të shkuar, shënoi historinë duke u kthyer në një nga përfaqësueset e para të besimit islam në Kongres.
Në një postim tjetër, Presidenti deklaroi se:
“Ato duhet t’i kërkojnë falje Amerikës (dhe Izraelit) për gjërat e tmerrshme që kanë thënë. Ato po e shkatërrojnë Partinë Demokrate, por janë qenie të dobëta dhe të pasigurta, të cilat nuk mund ta shkatërrojnë kurrë kombin tonë të madh!”
Demokratët dhe disa republikanë i kanë kritikuar ashpër komentet e zotit Trump dhe Dhoma e Përfaqësuesve i ka dënuar ato si “raciste”, por udhëheqësi amerikan ka vazhduar t’i sulmojë katër ligjvënëset.
Nga ana e tyre, ligjvënëset e kanë sulmuar presidentin Trump. Omar deklaroi: “Unë besoj se ai është fashist”, ndërkohë që lufta verbale e vazhdueshme u pasqyrua në emisionet televizive të lajmeve të së dielës dhe po vijon në rrjete sociale. Përpos racizmit, 4 përfaqësueset e reja po akuzojnë dhe administratën Trump dhe vetë presidentin për menaxhimin e gabuar të krizës së emigrantëve në kufijtë jugor të vendit, ku ka ende shumë emigrantë, mes tyre dhe fëmijë e gra që janë të mbyllur në qeli të mbipopulluara e shumë fëmijë të ndarë nga familjet e tyre.
Mbi këtë situatë reagoi para disa ditësh dhe Komisionerja për të drejta të njeriut e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, duke bërë thirrje për dhembshuri dhe trajtim të emigrantëve me dinjitet dhe respekt. /k.j