Situata e emigracionit të paligjshëm në kufirin me Meksikën nuk po stabilizohet, pavarësisht përpjekjeve të administratës Trump për ashpërsimin e politikave për emigracionin e paligjshëm dhe ngritjen e barrierave fizike në kufi me Meksikën.
Prej muajsh, qeveria amerikane po kritikohet për kushtet në qendrat e pritjes së emigrantëve, ku mijëra familje, mes tyre gra dhe fëmijë të cilët janë të pashoqëruar, trajtohen në kushte jashtë normales. Përpos kapacitetit të tejmbushur, janë të shumta rastet kur vullnetarë dhe organizata të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe emigrantëve, nuk janë lejuar të asistojnë në këto qendra e janë të shumta dëshmitë mbi keqtrajtimin e emigrantëve të paligjshëm në to.
Ndërkohë, Shefja për të drejta të njeriut e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, deklaroi se është “e tmerruar” nga kushtet me të cilat përballen migrantët e ndaluar në Shtetet e Bashkuara. Ajo tha se fëmijët nuk duhet të mbahen kurrë në objektet e migrantëve të ndaluar ose të ndahen nga familjet e tyre.
“Si një pediatre, por edhe si nënë dhe një ish-udhëheqëse shteti, jam thellësisht e tronditur që fëmijët janë të detyruar të flenë në dysheme, në objekte të mbipopulluara, pa qasje në kujdesin shëndetësor ose ushqim të përshtatshëm dhe në kushte të dobëta sanitare”, tha përmes një deklarate Bachelet.
Bachelet bëri thirrje për dhembshuri, duke thënë se ata që e gjejnë veten në këto ambiente “kanë bërë udhëtime të rrezikshme me fëmijët e tyre, në kërkim të mbrojtjes dhe dinjitetit dhe larg dhunës dhe urisë”.

Departamenti i Shtetit krijon panelin për të drejtat e njeriut
Ndërkohë pas një sërë kritikash përsa i përket respektimit të të drejtave të njeriut, Departamenti i Shtetit, përmes sekretarit Mike Pompeo, shpalli krijimin e një paneli për të drejtat e njeriut që do të kontrollojë rolin e të drejtave të njeriut në politikën e jashtme amerikane.
Pompeo deklaroi se komisioni do të përfshijë ekspertë të të drejtave të njeriut, filozofë dhe aktivistë me prejardhje të ndryshme.
“Herë pas here duhet të ndalemi dhe të reflektojmë seriozisht se ku jemi, ku kemi qenë dhe nëse jemi duke shkuar në drejtimin e duhur”, tha Pompeo në Departamentin e Shtetit.
Ai tha se Deklarata e vitit 1948 mbi të Drejtat Universale të Njeriut do të jetë një nga dokumentet themelore për punën e komisionit dhe shtoi se komisioni do t’i japë atij këshilla për çështjet e të drejtave të njeriut.
Artikuj të rekomanduar
- Trump paralajmëron dëbimin e miliona emigrantëve nga SHBA
- Pavarësisht urdhërit të administratës Trump, flamuri i krenarisë valvitet në ambasadat e SHBA-ve në botë
- Si paratë “e pista” nga SHBA po synojnë të cënojnë feminizmin
Burimi: RFEL