8 persona non grata/ Serbia kundër aktivistëve LGBTI+ për ‘fyerje të moralit publik’

Nuk ka përgjigje nga policia dhe prokuroria në pyetjen se pse u ndalua hyrja në Serbi shtetasve të huaj të cilët morën pjesë në Europride më 17 shtator në Beograd.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar më se ka ngritur dy kallëzime penale dhe ka nxjerrë masën me të cilën ndalohet hyrja në Serbi për tetë persona që “ofenduan moralin publik me sjelljen e tyre” gjatë Europride.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (RSE) se cilët shtetas të huaj janë ndaluar të hyjnë, çfarë sjelljeje “ofendojnë moralin publik” apo çfarë ligji kanë shkelur.
Kundërshtarët e Europride, një manifestim ndërkombëtar që promovon të drejtat e LGBTI+, shpërndanë foto të pjesëmarrësve dhe skena në mediat sociale pas shëtitjes së Krenarisë së Beogradit, të cilat ata e karakterizuan si të papërshtatshme dhe “fyerje për moralin publik”.

Njëra prej tyre tregon një pjesëmarrëse të Europride me një kurorë me gjemba si Jezusi, dhe tjetra tregon një person me një fund të ngritur.
Ndaj tyre është ngritur kallëzim penal për “shkaktim të urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.
Në të njëjtën kohë, edhe 10 ditë pas Europride, policia nuk u përgjigjet pyetjeve nëse janë ndaluar sulmuesit e disa pjesëmarrësve të këtij manifestimi, mes të cilëve edhe një grup aktivistësh LGBTI+ nga Shqipëria.
Çfarë është një shkelje e moralit publik?
Edhe pse ligjet në Serbi nuk e njohin mundësinë e ndalimit të hyrjes në vend për “fyerje të moralit publik”, neni 8 i Ligjit për rendin dhe paqen publike rendit “sjelljen e pahijshme, të pamoralshme dhe të pamatur” si kundërvajtje.
Mbi këtë bazë, Ligji për të Huajt lejon ndalimin e hyrjes në Serbi.
Neni 78 thotë se një ndalim i tillë mund t’i shqiptohet të huajit “për një kohë të caktuar” në rastet kur ai “shkel rregullat e rendit dhe qetësisë publike”.
“Që dikujt t’i ndalohet hyrja në vend mbi atë bazë, do të duhej që të merrte një aktgjykim të formës së prerë ose nëse bëhet fjalë për procedurë penale, prokuroria ta niste atë procedurë”,- tha Milan Filipoviq. nga Komiteti joqeveritar i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut.
Ai shtoi se për shkak të kësaj, në këtë fazë MPB-ja nuk është e autorizuar që të ndalojë hyrjen e të huajve.
“Është plotësisht e paqartë se cilët janë tetë personat e përmendur nga MPB-ja, dhe baza mbi të cilën ata ndoshta do të ndalonin hyrjen është gjithashtu e paqartë. Mund të supozojmë se kush janë dy personat kundër të cilëve kanë paraqitur kallëzime,” tha Goran Miletiq, njëri nga organizatorët e Evroprajd.
Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të datës 23 shtator thuhet se janë identifikuar dy shtetas të Turqisë dhe Italisë ndaj të cilëve është ngritur kallëzim penal “për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare. dhe intolerancës gjatë Europride.”./ HistoriaIme