Pesë rezultatet kryesore te zgjedhjeve të BE
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2015/03/o-EUROPEAN-PARLIAMENT-facebook.jpg)
- Grupet tradicionale politike janë dobësuar
Ishte padyshim një rezultat jo i kënaqshëm për grupimet tradicionale të majta dhe të djathta. Partitë Popullore Europiane, edhe pse sërish forcë e parë humbën 41 vende në Parlament. Grupimi i majtë S&D humbi 45 vende dhe në tërësi këto dy forca nuk arritën të mbajnë mazhorancën politike që u nevojitet për vendimmarrje. Në parlamentin e ri votat e tyre nuk mjafton për kalimin e ligjeve të rëndësishme, prandaj do të duhet një aleancë më e gjerë me grupimin liberal ALDE apo të Gjelbrit, të cilët shënuan rritje të ndjeshme si pjesë e një aleancë të gjerë pro-europiane
- Vala e Gjelbër
Me 71 vende në Parlamentin e ri, partitë e gjelbra arritën një fitore të konsiderueshme duke dyfishuar rezultatet e tyre në shumicën e vendeve të BE-së. Në Gjermani ato janë tashmë forca e dytë politike, duke ndjekur partinë e kancelares Merkel dhe në shtete si Irlanda apo Portugalia, deputetë të këtyre partive po futen për herë të parë në PE. Një prej ngjarjeve që ka ndikuar më shumë në “valën e gjelbër” është padyshim sensibilizimi mbarëkombëtar në shtetet e BE-së mbi klimën dhe mjedisin, me protesta në qytetet me të mëdha evropiane, të cilat kanë kulmuar pranë javës së zgjedhjeve.
- Populistët nuk u rritën aq sa pritej
Në Britani partia Brexit është fituese e zgjedhjeve, por deputetët e kësaj force nuk priten të qëndrojnë gjatë në Parlament. Pas largimit të Britanisë, vendet e tyre do të shpërndahen proporcionalisht mes shteteve të tjera anëtare. Një rritje të madhe këto forca patën dhe në Francë, me partinë populiste të Marine Le Pen forcë të parë politike, në Itali dhe Hungari, por që kjo rritje është më e pakët sesa ajo që pritej dhe parashikohej prej sondazheve.
Populistët vijojnë të ndarë në tre grupime politike dhe ende nuk kanë arritur të formojnë një grup të vetëm parlamentar, i cili në rast se do të krijohej sërish do të ishte një opozitë e fortë, por jo e pakundërshtueshme.
- Partitë e qendrës liberale shënuan rritje
Një prej rezultateve më të mirëpritura ishte fitorja e partive pro-europiane, liberale dhe të qendrës, që në programet e tyre kanë reformimin e Bashkimit Europian, promovimin dhe mbrojtjen e vlerave europiane, të drejtave të njeriut, mjedisit dhe forcimin e shtetit social dhe të së drejtës.
Këto forca janë grupuar kryesisht në koalicionin e liberalëve ALDE, pjesë e të cilit u bë dhe partia e Presidentit francez Macron. Në shtetet skandinave, në Holandë, Britaninë e Madhe dhe Spanjë këto forca kanë përmirësuar rezultatet e tyre në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014, duke pasqyruar një trend të popullsisë së BE e cila ende beson te vlerat e demokracive liberale dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtyre demokracive.
- Fitorja më e madhe: pjesëmarrja në zgjedhje
Rezultatet e grupimeve politike nuk përbënë lajm aq shumë sa bëri pjesëmarrja në këto zgjedhje. Këtë vit rreth 51% e qytetarëve të Bashkimit Europian morën pjesë në zgjedhje, duke shënuar një shifrën më të lartë në dy dekadat e fundit. Pati një mobilizim me grupet rinore, një rritje të ndërgjegjësimit për të mbrojtur vlerat e përbashkëta dhe për të çuar më tej projektin Europian, e cila padyshim mund të konsiderohet si fitorja më e madhe e këtyre zgjedhjeve.
Burimi: The Guardian