Zhduket nga TV emisioni që investigoi vdekjen në Sharrë, autorët akuzojnë Bashkinë për censurë
Vetëm pak kohë pasi filloi transmetimin e tij, emisioni investigativ “Publicus” është ndërprerë. Stafi i emisioni deklaroi se mosmarrëveshja me drejtuesit e televizionit “Vizion Plus”, ka lindur për shkak të episodit të tretë të “Públicus”, të titulluar “Kodrina e vdekjes”. Një emision i dedikuar vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj dhe administrimit të landfillit të Sharrës.
Sipas programit, emisioni ishte planifikuar të transmetohej ditën e djelë, datë 9 tetor, ora 20:10 por vetëm pak orë përpara, janë lajmëruar për të kundërtën. Në një njoftim në profilin e Facebook, stafi i “Publicus” e ka quajtur këtë një goditje të rëndë për median dhe në dëm të shoqërisë. “Një goditje agresive, e beftë, në mënyrë që dëmi apo përfitimi të jetë sa më i lartë! Kjo sjellje e paprecedentë ndaj bashkëpunëtorëve, në radhë të parë; kjo censurë ndaj gazetarëve, ndaj një programi dhe një ekipi televiziv; ky veprim kundër raportit të lirë, fsheh frikën e pronarëve të televizionit, por edhe synimin për të fituar padrejtësisht, e jondershmërisht, më qëllim plotësimin e interesave klienteliste, në dëm të tërë shoqërisë!”.
Vetë stafi i “Publicus” shkrun se bëhet fjalë për një investigim që nxjerr në pah dokumenta të cilat nëpunësit kërkojnë t’i fshehin. “Públicus”, nuk u lejua të transmetojë një raport mbi vdekjen tragjike të një të riu që banonte në rrethinat e ish Kombinatit, e që punonte në kushte pasigurie në Landfillin e Sharrës, pronë e Bashkisë së Tiranës e që e bashkë-administronte me një kompani private riciklimi. Bëhet fjalë për Ardit Gjoklajn, 17-vjeçarin që u nda nga jeta në rrethana dramatike. Ne shkuam në Sharrë, takuam njerëz e folëm me familjarët e viktimës dhe regjistruam dëshmi. Zbuluam dokumente të cilat nëpunësit kërkojnë t’i fshehin, pasi nuk duam të zbulohen përgjegjësitë. E të gjitha këto i përgatitëm për t’i publikuar. Por nuk na lanë!”
Shumë gazetarë e opinionistë e kanë cilësuar gjithashtu censurë të medias dhe veprim klientelist që mbron demaskimin e kryebashkiakut Veliaj. Nga ana tjetër BIRN shkruan se në një intervistë për ta, Genc Dulaku, drejtor administrativ i Media Vizion, mohoi të ketë bllokuar transmetimin e emisionit për ta censuruar atë. “Ne patëm mosmarrëveshje mbi çështje administrative me drejtorin e emisionit pasi ai qe vonuar në montimin e tij,” tha Dulaku për BIRN. “I thashë se qe e pamundur që emisioni të transmetohej këtë javë dhe se ai mund të vijonte javën tjetër, por ai vendosi të largohet,” tha Dulaku duke iu referuar regjisorit të emisionit Artan Rama. /m.g/