Zgjohen shoqatat e gazetarëve: “Sjelljet e Braçes dhe Veliajt, shenja të klimës konfliktuale të politikës me mediat”
Tri organizata të gazetarëve në Shqipëri shprehin shqetësimin për rritjen e presionit ndaj punonjësve të medias në vend në prag të zgjedhjeve lokale. Kështu, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Lidhja e Gazetarëve dhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë në një deklaratë të përbashkët shprehin shqetësimin për sjelljen e Erion Veliajt ndaj gazetarëve.
Reagimi:
“Rasti më i fundit, ai i ofendimit dhe reagimit agresiv të kandidatit për bashkinë e Tiranës, Erjon Veliaj ndaj reporterit të AbcNews, përbën një shqetësim për tri organizatat e gazetarëve, të cilat u bëjnë thirrje partive politike dhe kandidatëve të respektojnë të drejtën e publikut për informim dhe lirrinë e gazetarëve për të informuar.
Rasti i Veliajt, i cili jo vetëm refuzon t’u përgjigjet gazetarëve, por edhe i intimidon ata në kryerjen e detyrës, është në vazhdim edhe të dy rasteve të tjera shqetësuese në prag të fushatës elektorale.
Kështu, vlen të përmendet rasti i kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, i cili reagoi me një gjuhë agresive ndaj një gazetari të Top Channel, si dhe rasti i deputetit Gjovalin Kadeli, i cili kërcënoi rëndë kameramanin e AbcNews ndërsa ky po bënte detyrën e tij në ambientet e Kuvendit.
Tri organizatat më të mëdha të gazetarëve në vend u bëjnë thirrje gjithashtu edhe institucioneve ndërkombëtare të jenë të vëmendshme ndaj lirisë së shtypit në Shqipëri dhe kërkojnë që të parandalohet çdo tentativë për të ushtruar presion mbi mediat gjatë fushatës elektorale”.