“Vrasja nuk është zgjidhje”, protestë kundër zhdukjes së kafshëve të rrugës
Aktivistë për mbrojtjen e kafshëve protestuan sot përpara Bashkisë së Tiranës. Nën thirrjet “vrasja nuk është zgjidhje”, ata i kërkuan institucioneve të ndalojnë zhdukjen e qenve endacakë.
Protesta vjen pas investigimit të publikuar në media, ku punonjës të Bashkisë Tiranë shfaqen duke depozituar kufomat e kafshëve të vdekura nga klinika për trajtimin e tyre drejt landfillit të Sharrës.
Qytetarët mbanin në duar qese të zeza me fotografitë të kafshëve për të cilat më parë kujdeseshin, por që tani janë zhdukur ose vrarë nga punonjësit e Bashkisë.
Video: Protesta në Tiranë kundër vrasjes së kafshëve endacake
“Është e tmerrshme, në asnjë vend të botës nuk ndodh që tjetër shfaqesh e më pas shkon i vret andej mbrapa. Nuk është vrasja zgjidhja, nëse vret një kafshë ke vrarë edhe jetën e shumë njerëzve të cilët janë shumë të ndjeshëm ndaj tyre” tha një prej aktivistëve gjatë protestës.
Ambientalisti Sazan Guri, paraqiti në emër të protestuesve katër kërkesat kryesore drejtuar institucioneve:
- Zbatimi ne ligjit për mbrojtjen e kafshëve si në formën penale ashtu edhe në atë civile
- Shkarkimin e tre drejtorëve, atij të mbrojtjes së konsumatorit, drejtuesit të shtëpisë së trajtimit të kafshëve dhe kryeveterinerit të këtij spitali.
- Shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj
- Ngritjen e një skuadre trajtimi të kafshëve të trajnuar dhe certifikuar.
Aktivistët e nismës “Animal Rescue Albania”, publikuan një ditë më parë një tender të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit (AMK), ku tregohej se ishin blerë 230 shishe prej 50ml me një preparat që përdoret eutanazi, e me të cilin pretendojnë se janë vrarë kafshët e rrugës. Në postim aktivistët shtojnë se mjaftojnë 5 ml nga ky preparat për të vrarë një qen.
Foto: Shpenzimet e tenderit mes të cilave renditet preparati për eutanazinë i blerë nga AMK
“230 shishe euthasol, le të na thotë në facebook për cfarë i ka vetëm aty mund t’i flasim, sepse derën e ka të mbyllur edhe pse punonjësit janë brenda”, tha një prej aktivistëve gjatë protestës.
/l.k./