Universitarët “ngelin në klasë” ligjin për arsimin: Është antikushetues, nuk futet në universitet
Në orët e para të mëngjesit të 22 korrikut, pas një seance maratonë, Kuvendi miratoi me 78 vota pro dhe asnjë kundër, projektligjin për Arsimin e Lartë. 9 orë zgjati debati mes opozitës dhe maxhorancës në parlament. Po kaq zgjati dhe protesta e studentëve dhe pedagogëve jashtë dyerve të tij.
Siç pritej, pasi Kryetari i Parlamentit filloi recitimin nen më nen, u ulën kokat e u ngritën kartonat dhe projektligji u miratua. Por çfarë do të ndodhë tani me ata që Ministrja e Arsimit i quajti “grup i vogël që u përpoq të shantazhojë Kuvendin”?
Aktivistë të lëvizjes “Për Universitetin” thonë se ishin të ndërgjegjshëm për pafuqinë e tyre përballë pushtetit të kartonave dhe interesave miliona euroshe që, sipas tyre, luhen në këtë mes.
Megjithatë, ata shprehen se nuk do t’i ndalin përpjekjet dhe rezistencën:
“Hedhja në letër e këtij ligji ndodhet larg momentit të implementimit të tij në universitete dhe aty do ndeshen përsëri me rezistencën tonë. Sot nuk është fundi i përpjekjes sonë, por fillimi i një rezistence të re brenda fakulteteve ku studiojmë dhe veprojmë për të ndalur pasojat denigruese të kësaj reforme. Rezistencës për të ndërtuar një universitet të ri, një hapësire publike në demokraci e gjithëpërfshirje të plotë, një universitet të dijes emancipuese dhe mendimit kritik.”
Në cilat forma do të zhvillohet rezistenca e aktivistëve të lëvizjes “Për Universitetin”?
![11782354_10152923897761561_6110104182490881037_o](http://historiaime.al/wp-content/uploads/2015/07/11782354_10152923897761561_6110104182490881037_o.jpg)
Deni Sanxhaku – aktiviste e lëvizjes “Për Universitetin”
“Protestat, zaptimet, bllokimet dhe përplasjet e drejtpërdrejta me dhunën simbolike dhe konkrete qeveritare kanë për të qenë më të shpeshta e më të forta. Aksioni i drejtpërdrejtë në terren dhe mobilizimi studentor do të shoqërohet edhe me ndërmarrjen e rrugës ligjore, nga një letër e hapur Presidentit të Republikës për të mos e dekretuar vendimin deri tek referendumi popullor në rang vendi apo ndjekja e çështjes në Gjykatë Kushtetuese. Këto janë ide që jemi duke i shqyrtuar për të cilat do na duhet të konsultohemi dhe eksperte të fushës së jurisprudencës. E sigurt është që vjeshta do të na gjejë të organizuar, dhe shumtë e më të fortë.”, tha për Historia Ime, Deni Sanxhaku.
Kryeministri Rama tha se ky projektligj do të jetë ”një revolucion në Arsimin e Lartë”. Por një nga zërat më të fortë kundër, Profesor Artan Fuga, në atë që e quajti “E marta e zezë për arsimin shqiptar”, thotë se ky projektligj është antikushtetues.
Në çfarë aspekti e shkel kushtetutën ky ligj, sipas aktivistëve të lëvizjes “Për Universitetin”?
“Ne nuk zotërojmë njohuritë e nevojshme ligjore për të bërë një ekspertizë të detajuar mbi këto shkelje, por janë dy pika të nenit 57 të Kushtetutës së RSH të cilat preken nga ky ligj:
1. Kushdo ka të drejtën për arsimim;
7. Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj.
Kjo e dyta e trajtuar me hollësisht edhe në raportin e bërë nga Këshilli i Fakultetit të Drejtësisë kundër ligjit në fjalë. Në këtë ligj është bërë e qartë terheqja e shtetit nga përgjegjësia morale dhe financiare për të mbështetur e fuqizuar insitucionet pubike të arsimit të lartë, e për rrjedhojë, i detyron këto të fundit të brendësojnë logjikën e tregut për t’i mbijetuar falimentimit duke rritur tarifat vjetore të studimit apo duke kryer aktivtete të tjera ekonomike, si prsh. shfrytëzimi i infrastrukturës nga palët e treta.”
Një tjetër aspekt i antikushtetueshmërisë së këtij projektligji lidhet me skemën e re të financimit që parashikon aksesin e atyre që sot quhen Universitete Private, në buxhetin e shtetit. Gjë që sipas kundërshtuesve të reformës do të sjellë rritje të tarifave dhe cënim të autonomisë së Universitetit.
”Kjo skemë e re financimi, e cila bën të mundur që universitetet private (nesër institucione publike të pavarura ) të kenë akses ndaj buxhetit të shtetit nëpërmjet mekanzimit të performancës dhe konkurueshmërisë, parashikon më pak buxhet për universitetet publike. Operimi i universitetit si një ndërmarrje tregtare, e cila ofron nje shërbim shumë të shtrenjtë por jo domosdoshmërisht cilësor, jo vetëm e pamundëson arsimimin e shtresave të varfra të popullsisë duke bërë një diskriminim të paster ekonomik, por nuk siguron as autonomine universitare dhe lirinë akadamike të institucionit në fjalë. Një institucion në buzë të greminës nuk e ka luksin të merret me dije apo kërkim shkencor, prandaj rritja e investimeve shtetërore për arsimin e lartë është kusht i domosdosshëm për zhvillimin e tij. Ndërkohë ajo që na ofrohet sot me këtë ligj është shumë larg vizionit që ne kemi per universitetin dhe funksionin e tij në shoqëri, vizion të cilin dëshirojmë ta materializojmë bashkërisht në kohë.”, tha për Historia Ime, Deni Sanxhaku.
/ L.K.