Udhëtarët nga vendet jo anëtare të BE-së, do të përballen me një tarifë prej 5€ për të hyrë zonën Shengen
Prej disa kohësh janë paralajmëruar ndryshime për lëvizjen në zonën Shengen. Udhëtarët pa viza që prej fillimit të vitit të ardhshëm do të duhet të regjistrohen për hyrje-daljet e tyre.
Komisioni i BE-së prezantoi në Bruksel sistemin elektronik “ETIAS” – European Travel Information and Authorisation System, për regjistrimin e udhëtarëve. Me këtë sistem do të regjistrohen të gjithë turistët apo ata që udhëtojnë për shërbime pune, të cilëve nuk iu duhet vizë por vetëm paraqitja e pasaportës në kufijtë e zonës Shengen.
Idea për një sistem elektronik regjistrimi është pjesë e një iniciative në shkallë të gjerë të Komisionit të BE-së, për të siguruar kufijtë e jashtëm të BE-së pas sulmeve terroriste të Parisit dhe migracionit të pakontrolluar. Udhëtarët nga vende jo anëtare që nuk kanë nevojë për vizë në BE, duhet të regjistrohen në internet. Tarifa e vendosur do të jetë pesë Euro dhe leja e hyrjes vlen për pesë vjet.
DW shkruan se sistemi ETIAS do të ndikojë në uljen e numrit të personave që mund të udhëtojnë pa viza në BE por nuk regjistrohen gjatë hyrje-daljeve në kufi me qëllim qëndrimin për më shumë se tre muaj.
Me daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja, edhe shtetasit britanikë që do të frekuentojnë Shengenin për pushime apo shërbime pune, do të duhet t’i nënshtrohen regjistrimit.
Sistemi i regjistrimit të hyrje-daljeve të udhëtarëve nuk është i panjohur, Australia e ka prej kohësh këtë sistem, ndërsa SHBA-ja që nga viti 2007. ETIAS do të vendoset deri në fund të këtij viti. /m.g/
Burimi: DW Shqip