Organizata ndërkombëtare Transparency International publikoi të martën Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018, i cili thekson se dështimi i vazhdueshëm i shumicës së vendeve për të kontrolluar korrupsionin, është duke kontribuar në një krizë të demokracisë në gjithë botën.
Indeksi, i cili radhit 180 vende në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik, përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër.
Shqipëria ka zbritur në pozitën 99, nga 91 sa ka qenë një vit më parë. Referuar raportit përkeqësimi i situatës së korrupsionit në Shqipëri mund të jetë ndikuar prej ngërçit politik dhe mosmarrëveshjeve që kanë bllokuar përparimin e disa reformave anti-korrupsion.
E njëjtë paraqitet situata dhe në Kosovë, ku përkeqësimi i situatës e ka renditur në vendin e 93-të me 37 pikë, një ulje prej 8 vendesh në renditje.
Trend rënës paraqesin dhe shtetet e tjera të rajonit, ku Serbia ka rënë nga pozita 77 në pozitën 87. Mali i Zi po ashtu ka rënë nga pozita 64 në 67.
Maqedonia ka shënuar përparim, duke u radhitur në pozitën 93 nga 107 sa ka qenë vitin paraprak. Organizata thotë se pritjet anti-korrupsion në këtë vend, që është i interesuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, janë ta larta.
Përparim të lehtë ka edhe në Bosnje e Hercegovinë, e cila ka qenë në vendin 91, ndërsa është në vendin 89, porse numri i saj i pikëve mbetet i pandryshuar: 36. Sipas Transparency International, zhvillimet politike në këtë vend janë shqetësuese./k.j
Burimi: Top Channel