Tiranë, mësuesja fyen dhe dhunon verbalisht fëmijën autik
Arsimi i përgjithsëm publik vazdhdon të tregojë mangësi në intergrimin e fëmijëve me nevoja të veçanta. Rasti i fundit i publikuar nga emisioni investigativ Fiks Fare, tregon si një mësuese e klasës së parë ushtron dhunë verbale dhe psikologjike ndaj një fëmije autik.
Filloreta Dervishi, mësuese e klasës së parë B të shkollës 9-vjeçare “Konferenca e Pezës” në Tiranë, është filmuar tek ofendon dhe i drejtohet në mënyrë të padenjë fëmijës 10-vjeçar me elemente autizmi. Mësuesja e mënjanon dhe e shpërfill, në vend që të përpiqet ta përfshijë në mësim dhe në aktivitetet e tjera të klasës. Ajo nuk përpiqet ta aktivizojë aspak fëmijën, madje ajo e largon edhe nga grupi i provave për festën e abetares.
Nga pamjet e filmuara në “Fiks Fare” duket qartë se mësuesja Filloreta Dervishi shfaq elemente dhune me të gjithë fëmijët e klasës. Ajo ju flet me tone të larta të gjithë nxënësve dhe i godet me shkumës në kokë. Kur nxënësit e klasës së parë i bëjnë pyetje mësueses së tyre, ajo u thotë: “Mos më bëni pyetje se jam me nerva, mbylleni gojën dhe nuk dua t’ua dëgjoj zërin”.
Nëna e fëmijës: “Jam ankuar në drejtori, kam mbetur e zhgënjyer”
Valbona Rrenjolli, prindi i 10 –vjeçarit me elemente autizmi, shprehet se kjo mësuese ka penguar integrimin e djalit të saj si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë. Duke shtuar se kjo mësuese ushtron dhunë të vazhdueshme ndaj fëmijëve. Ajo thotë se në rolin e prindit është ankuar në drejtori, ku ka mbetur akoma më e zhgënjyer kur ka parë si të gjithë mësuesit dhe drejtuesit dalin në krahë të njëri-tjetrit dhe nuk verifikojnë aspak situatën.
Mungesa e mësuesve ndihmës, problem për fëmijët me aftësi të veçanta
Në vitin 2014, Ministria e Arsimit filloi të fusë në sistemin arsimor mësuesit ndihmës nëpër klasa, që sot arrijnë numrin rreth 140. Numër ky që nuk e mbulon dot kërkesën për nxënësit autikë. Kështu që fëmijët me autizëm frekuentojnë shkollat publike, por nuk kanë mësues të posaçëm për kujdesin dhe edukimin e tyre. Në rastin e trajtuar mbrëmjen e djeshme, në mungesë të mësueses ndihmëse në klasë me fëmijën qëndron e ëma. Ajo ka lënë punën dhe i është përkushtuar tërësisht të birit. Valbona Rrenjolli, prindi i fëmijës me elemente autizmi, shprehet se kjo mësuese ka penguar integrimin e djalit të saj. Ajo tregon se mësuesja ushtron dhunë verbale dhe joverbale ndaj fëmijëve.
/l.k./