Je një i ri dhe ke dëshirë të mësosh më shumë rreth storytelling? Dëshiron të rritësh aftësitë dhe kapacitet e tua në fushën e narrativës digjitale dhe asaj tradicionale? Bëhu pjesë e “Storytelling Lab” të parë për komunitetin LGBT në Shqipëri.
12 të rinj do të jenë pjesë e projektit “Storytelling lab”, ku do të kenë mundësinë të trajnohen prej disa nga profesionistët më të mirë të fushës së narrativës digjitale dhe jo vetëm. Në kuadër të këtij projekti PRO LGBT mbeshtetur nga Ambasada Amerikane synon transformimin e medias “HistoriaIme” (historiaime.al) në një laborator narrative të krijuar nga të rinjtë për të rinjtë.
Ky trajnim është ndërtuar në bazë të 4 moduleve të quajtur “Storytelling digjital”, “Arti i rrëfimit të një historie”, “Format artistike të shprehjes” dhe “Historia jote përmes medias sociale”. Këto module janë krijuar me qëllim ngritjen e kapaciteteve të të rinjve në fushën e storytelling dhe formave të ndryshme të tij.
Problemi që ky projekt synon të adresojë
Përjashtimi, demonizimi i komunitetit LGBTQ+ dhe retorika e urrejtjes në diskurin publik shqiptar është e paprecedentë edhe për vetë standartet e Shqipërisë. Të rinjtë LGBTQ+ shqiptarë, që janë të ekspozuar ndaj realiteteve globale përmes rrjeteve sociale, e gjejnë veten si në një kurth. Nga njëra anë ata mund të aksesojnë një kontent mediatik gjithpërfshirës që i respekton dhe i celebron identitetet e tyre, ndërkohë që në nivel lokal ata janë të ekspozuar ndaj një retorike toksike që i përjashton dhe i demonizon identitetet e tyre. Mos pasja e mundësisë për tu prezantuar në media ashtu siç janë, për atë që janë, mund të ketë efekte negative për vetvlerësimin dhe mirëqënien psiko-sociale. Kjo nismë synon të reduktojë homofobinë dhe diskriminimin në mediat online dhe në jetën e përditëshme, duke i pajisur 12 të rinj LGBTQ+ me aftësitë e nevojshme për të zbuluar dhe për t’iu përgjigjur shkeljeve të tilla të të drejtave të njeriut, dhe për të ndërtuar me forma të ndryshme, përfshirë ato dixhitale, narrativën e tyre që respekton të drejtat dhe identitetet e tyre.
Pse “storytelling”?
Komunitetet lokale e ndërtojnë kontekstin dhe e interpretojnë realitetin e tyre përmes komunikimit. Komunikimi nuk përfshin vetëm fjalët dhe gjuhën por edhe format se si gjuha përcillet. “Storytelling” apo rrëfimtaria është një aktivitet po aq i lashtë sa njeriu. Ne e përzgjedhim historinë tonë përmes rrëfimit, e veshim atë me kuptim dhe e përcjellim në të njëjtën mënyrë tek brezat e ardhshëm. Ne e përkufizojmë kështu veten tonë përmes rrëfimit. Akti i të rrëfyerit ia jep pushtetin personit që e rrëfen historinë e vet. Duke e çuar historinë e komunitetit LGBTQ+ drejt vetë komunitetit, ky projekt është në njëfarë mënyrë një akt rezistence. Ai e transferon të drejtën për të rrëfyer historinë nga një ekosistem mediatik përjashtues dhe diskriminues, në duart, mendjet dhe zërin e të rinjve LGBTQ+. Historitë tuaja do të rrëfehen kështu nga ju e jo në emrin tuaj.
Projekti do ta pajisë këtë grup prej 12 vetësh me metodat më moderne dhe të zgjuara të “storytelling” dhe me aftësinë për të ndërtuar historitë e tyre dhe për t’i ndarë ato me njëri – tjetrin e me publikun në forma që garantojnë privatësi.
Kohëzgjatja
Laboratori i storytelling do të fillojë me 6 Shtator 2022 dhe përfundon me 13 Janar 2023. Pjesëmarrësit pritet t’i dedikojnë laboratorit 2 seksione nga 3 orë (6 orë në javë totali). Ata do të pajisen me njohuri dhe me kohë për të zhvilluar praktikën në mënyrë të mbikqyrur dhe të mbështetur nga trajnerët. Kjo kohë do të jetë një kohë edhe për zbavitje, edhe për reflektim, edhe për të punuar bashkarisht.
Moduli i parë do të jetë mbi “storytelling” digjital (vlog, blog, foto-reportazh, video, audio, podcast, etj.), duke përdorur platforma si anchor.fm, spotify ose platforma a aplikacione të tjera të aksesueshme. Studentët do të mësojnë si të ulen e të ideojnë, krijojnë outline, shkruajnë historitë e tyre, redaktojnë gramatikën dhe përmbajtjen dhe si t’i përshtasin këto në formatet e mësipërme.
Moduli i dytë i quajtur “Arti i rrëfimit të një historie” do t’u mësojë studentëve praktika dhe metoda për të shkruar një histori efikase që të pushton vëmendjen. Pjesë e këtij moduli do të jetë edhe e folura në publik.
Moduli i tretë ka të bëjë me format artistike të shprehjes (si performanca të ndryshme artistike, etj.) forma që synojnë ngritjen e kapaciteteve të të rinjve të komunitetit, duke treguar kështu një qasje tjetër të tyre.
Moduli i katërt i quajtur “Historia jote përmes medias sociale” do të mësojë studentët se si ta përshtasin historinë e tyre për një audiencë në median sociale nëpërmjet videove dhe jo vetëm. Në fund të këtij programi, studentët do të mësojnë se si të zhvillojnë strategji për rritjen e ndjekësve (followers), të krijojnë fushata sociale me video dhe audio, si të krijojnë përmbajtje (content), dhe se si të analizojnë të dhënat.
Bashkëpunimi me Pro LGBT
Çdo seancë trajnimi do të zgjasë 3 orë me pushimin të përfshirë. Kohëzgjatja e trajnimeve do të jetë nga muaji Shtator 2022– Janar 2023.
Kërkesa të tjera
Ne po kërkojmë individë që kanë:
Aftësi për të vepruar në grup.
Përkushtim për të marrë pjesë në të gjitha aktivitetet dhe modulet e trainimit.
Kuriozitet për të mësuar dhe dëshirë për të ndryshuar realitetin.
Gjithashtu ne kërkojmë që pjesëmarrësit të jenë pjesëtarë të komunitetit LGBTQ+. Anonimiteti do të garantohet, nëse kjo është ajo që studentët dëshirojnë.
Në rast se ti ke një histori, dhe po kërkon një mënyrë cool për ta treguar atë, apliko tani duke dërguar një letër motivimi në email-in [email protected]
Aplikimet do të jenë të hapura deri me datë 05/09/2022.
Ky projekt po implementohet me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Thirrja është realizuar si pjesë e një projekti të mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci i Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autorit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.