Tetovë, tentuan të organizojnë “Queer Iftar”, dhunë dhe kërcënime ndaj aktivistëve LGBTI
Ky muaj, për besimtarët muslimanë është një muaj i shenjtë. Muaji i Ramazanit është muaji ku besimtarët muslimanë agjërojnë dhe mundohen të bëjnë vepra të mira, p.sh. të ndihmojnë të varfërit.
Të njëjtën gjë janë munduar të bëjnë edhe besimtarët muslimanë të komunitetit LGBTI në Tetovë të Maqedonisë duke shtruar një iftar për personat e komunitetit.
“Të nderuar pjesëtarë të Komunitetit LGBTI, prindër, familjarë, miq dhe përkrahës.
Po i afrohemi fundit të muajt të Agjërimit- Ramazanit, muajit të solidaritetit,afërsisë dhe harmonisë mes njerëzve.
Kemi nderin tju ftojmë në QUEER Iftar me datë 12 qershorë 2018 në ora 19:30 tek Qendra e Komunitetit LGBTI në Tetovë dhe të kënaqemi me ushqime të iftarit dhe biseda të këndshme.
Me dashuri
LGBT Junajted Tetovë”
Kjo është ftesa që LGBT Junajted Tetovë i bëri pjesëtarëve të komunitetit LGBTI për të thyer agjërimin dhe për të ngrënë iftarin të tërë bashkë.
Por pas këtij njoftimi, organizata dhe specifikisht drejtori ekzekutiv i saj, kanë marrë një sërë kërcënimesh dhune dhe madje edhe për marrjen e vetë jetës.
Ramazani është muaji i shenjtë kur muslimanët agjërojnë dhe përpiqen të kryejnë thawab (vepra të mira që shpërblehen nga Allahu). Personi që agjëron nuk duhet të hajë përpara iftarit (të thyejë agjërimin, zakonisht me hurma arabie), të gënjejë, të flasë keq për këdo pas shpinës së tyre ose të bëjë ndonjë gjë që është moralisht e gabuar.
Çdo keqbërje e prish agjërimin, dhe prishja e agjërimit është një mëkat i madh.
Çdo ditë të Ramazanit, çdo musliman duhet të përpiqet të gjejë një mundësi që të bëjë diçka të mirë për të tjerët. Nëse ai ose ajo mund të ndalojë një grindje mes dy njerëzve, ky është një thawab i madh. Sa më shumë thawabe që një person fiton gjatë jetës së tij, aq më mirë është për të, por në muajin e Ramazanit, thawabi i dhënë një muslimani për veprat e tij të mira dyfishohet.
Atëherë si ka mundësi që besimtarë dhe imamë të rëndësishëm të komunitetit musliman në Tetovë reagojnë me një fjalor diskriminues, dhunues dhe të ndyrë ndaj disa personave që mundohen të bëjnë mirë në një periudhë të vitit që është e shenjtë për ta? Nëse ajo që lexuam më lartë është e vërtetë, atëherë ky është një thawab i madh. Si ka mundësi që muslimanët maqedonas të cilët janë shumë të dhënë pas fesë së tyre, të mos respektojnë principet më të thjeshta të saj? Të jenë paqësorë dhe ta duan njëri – tjetrin.
Evropa drejt gjithëpërfshirjes, xhamia Franceze e hapur ndaj LGBTI:
Themeluesi i xhamisë së parë gjithëpërfshirëse në Evropë si edhe imam gej, Imami Ludovic-Mohamed Zahed ka thënë për Evening Standard se të jesh gej “nuk është mëkat”, por që refuzimi i muslimanëve LGBT është “diçka moderne dhe e re në Islam.”
Imam Zahedi ka thënë: “E gjithë kjo ka të bëjë me kolonizimin, komplekset dhe faktin se shoqëritë Arabo Muslimane janë mes trazirash dhe po kërkojnë identitete shumë macho për të ecur përpara.”
“Por nuk ka të bëjë aspak me Islamin si spiritualitet, sepse tradita jonë është shumë më paqësore në trajtimin e seksualitetit dhe identitetit gjinor.”
Atëherë si ka mundësi që besimtarët tetovarë dhe më gjerë në Ballkan janë kaq ekstremistë? Përse nuk e shohin Ramazanin si një muaj vërtetë të shenjtë ku të pranohen të tërë dhe mirësia të jetë e vërtetë dhe e ndjeshme?
Përveç kësaj, një numër i vogël dijetarësh islamikë, kryesisht në Perëndim, kanë filluar rishqyrtimin e mësimeve islame mbi seksin midis gjinisë së njëjtë dhe kanë arritur në përfundimin se dënimi që lexohet në Kuran është një keqinterpretim. Megjithatë, ky rishikim është vetëm fillimi dhe nuk është pranuar gjerësisht si teori.
/A.A/