Sllovaki, vritet gazetari që po investigonte mbi korrupsionin qeveritar
Gazetari investigative Jan Kuciak dhe e dashura e tij u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre në kryeqytetin sllovak Bratislavë.
Vrasja e ndodhur gjatë fundjavës dyshohet të jetë e lidhur me aktivitetin e reporterit, i cili po hetonte mbi mashtrimet fiskale, veçanërisht në rastet e disa personave të afërt me partinë në qeverisjen e vendit, të socialdemokratëve (SMER), të kryeministrit Robert Fico.
“Vrasja ka të ngjarë të ketë të bëjë me aktivitetin e tij investigativ” tha për DW përfaqësuesi i policisë Tibor Gaspar.
27 vjeçari punonte për poratlin informative “Aktuality.sk”, i fokusuar kryesisht në gazetari investigative.
Lajmi nxiti reagimi të forta nga organizatat e medias
Organizata Reporterët pa Kufij publikoi një deklaratë ku thuhej se ishin “tmerruar” nga vrasjet. Ata i kërkuan autoriteteve të investigojnë thellësisht çështjen, duke vënë në dukje faktin se Kuçak dhe persona të tjerë ishin kërcënuar gjatë muajve të fundit.
Ky është rasti i fundit i vrasjes së një gazetari që merret me hetimin e çështjeve korruptive nga qeveritarë apo persona të lidhur me ta, pas atentatit me bombë ndaj blogeres Caruana Galizia, që u shënua në Maltë në fund të vitit të kaluar.
/l.k./