Në korrik të vitit 2020, Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë lëshoi një “Protokoll Mjekësor për Vlerësimin e Fëmijëve me Zhvillim gjenital Atipik” si udhëzues detyrues dhe praktik për profesionistët e shëndetit. Për fat të keq, përveç disa aspekteve pozitive, ky udhëzues ka dështuar të përqafojë plotësisht standardet e të drejtave të njeriut për interseksualët që Komuniteti Intersex Evropian, organet ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe organet e Këshillit të Evropës kanë krijuar në dekadën e kaluar.
“Protokolli ka shumë të meta të cilat duhet të zgjidhen” – thotë Dan Christian Ghattas, Drejtor Ekzekutiv i OII Europe. “Ndërhyrjet jo-jetësore konsiderohen ende si mundësi, përfshirë këtu ndërhyrjet që mund të shtyhen në mënyrë të sigurt ose ato që janë thjesht kozmetike, si p.sh. gonadektomia, zvogëlimi i klitorit, histerektomia dhe heqja e gonadave të brendshme. Kjo tregon paragjykim ndaj mjekimit dhe kështu krijohet patologjizim i trupave interseksualë dhe është e kundërta e një qasje të vërtetë të bazuar në të drejtat e njeriut.”
“Ne mund të shohim edhe disa pika pozitive në rekomandimet e dhëna”, shton Irene Kuzemko, Sekretare e OII Europe, “p.sh. duke i thënë të vërtetën fëmijëve interseksualë mbi trupin e tyre; respektimi i dinjitetit të personit posaçërisht kur kryhet ekzaminim mjekësor; trajtimi i stigmës dhe diskriminimit; duke i dhënë peshën e duhur mirëqenies seksuale (të ardhshme) të fëmijës. Këto janë të gjitha aspektet pozitive që duhet të shtjellohen më tej dhe duhet të jenë baza e çdo implementimi.”
“Kur bëhet fjalë për zbatimin, ne shqetësohemi se disa nga kontradiktat në këtë dokument do të shkaktojnë pengesa në mbrojtjen e të drejtës së fëmijëve për vetë-përcaktim”, komenton Kristian Ranđelović, Anëtar i Bordit Drejtues të OII Europe: “Nga njëra anë dokumenti pranon që fëmija interseks mund të zgjedhë një identitet gjinor të ndryshëm nga ai i caktuar dhe se ata do të lejohen të marrin vendimet e tyre më vonë në jetë, nga ana tjetër thotë se “këshillohet që të konsiderohet kirurgjia gjatë foshnjërisë”. Dokumenti pranon që ka rrezik nga prindërit të cilët duan që fëmija të përputhet me normat shoqërore, por pastaj përsëri fuqia e personelit mjekësor për të vendosur se cila ndërhyrje është “e domosdoshme nga ana mjekësore” nuk adresohet. Kjo fuqi është njohur nga organet e të drejtave të njeriut si një arsye për praktikat e dëmshme mjekësore. Udhëzimet promovojnë gjithashtu ekipe multidisiplinare të udhëhequra nga një profesionist mjekësor, por pa përfshirjen e ekspertëve për të drejtat e njeriut.”
Kjo është arsyeja pse ne të OII Europë, megjithëse pranojmë që ka aspekte pozitive, deklarojmë se Shqipëria humbi mundësinë për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve interseks dhe autonominë trupore të fëmijëve. Respektimi i përparësisë së vetëvendosjes nga vetë fëmija do të sillte rezultate më të mira. Për më tepër, ne jemi të bindur që mbulimi më preçiz nga ana e mediave, do të ndihmojë që çështje të tilla delikate dhe shpesh të keq-interpretuara të të drejtave të njeriut të komunikohen më mirë.
Burimi: oiieurope.org