Shpenzimet e deputetëve, dieta, qera dhe udhëtime
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2019/01/parla-.jpg)
Bojkoti parlamentar i opozitës, u shoqërua me reduktimin e shpenzimeve të parlamentit, pas reduktimit të pagave të deputetëve që nuk ndoqën punimet e Kuvendit. E ndërsa nga njëri krah u reduktua rroga, lista e shpenzimeve duket e tejmbushur me dieta, udhëtime, shpenzime për naftë dhe qera.
Gazeta “Panorama” sjell listën e plotë të 140 deputetëve të Kuvendit dhe shpërblimet e marra nga ata përgjatë periudhës nëntor-dhjetor të vitit 2018.
Statusi i deputetit u jep të drejtën deputetëve të subvencionohen për udhëtimet e tyre në qarkun ku janë zgjedhur. Deputetë të qarqeve Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë kanë marrë pjesën më të madhe të subvencioneve për karburant, shuma shkon deri në 80 mijë lekë vetëm për karburant. E njëjta gjë ndodh edhe me telefonin. Statusi i deputetit u jep atyre atributin e pagesës së telefonit dhe në total, për deputetët e Kuvendit janë paguar 4.312.600 lekë.
Shpenzime të shumta numërohen dhe për deputetët ‘e pastrehë’ të Kuvendit, të cilëve u paguhet qiraja e banimit në Tiranë. Konkretisht, për 10 deputetë të Kuvendit janë paguar nga 70 mijë lekë respektivisht për të paguar qiranë e apartamentit ku banojnë.
Ajo që bie në sy është dhe shuma e parave të marra nga deputetët përsa u përket dietave. Këto para vijnë për shkak të udhëtimeve të bëra jashtë vendit dhe për rrjedhojë, në total për deputetët e Kuvendit janë dhënë 9.180.255 dieta dhe totali i parave të paguara për ligjvënësit shqiptarë është 25.563.312 lekë, për periudhën kohore nëntor-dhjetor të vitit 2018./k.j
Burimi: Panorama