Një ndër sfidat mjedisore me të cilat po përballen të gjithë shtetet e botës dekadat e fundit është nirma e lartë e shpyllëzimit dhe shkatërrimit të pyjeve, e cila kontribuon drejtpërdrejtë në përkeqësimin e fenomenit të ngrohjes globale.
Sipas “Global Forest Watch” nga viti 2001 deri në vitin 2017, rreth 337 milionë hektarë pemë u zhdukën në të gjithë botën – një sipërfaqe thuajse e barabartë me atë të shtetit të Indisë.
Në bazë të këtij raporti ka reaguar dhe Banka Botërore përmes një artikulli, ku deklaron se ‘duket se ne po e humbim betejën, nëse jo luftën, kundër shpyllëzimit dhe mungojnë disa mundësi kyçe për të trajtuar ndryshimet klimatike’.
Sipas raportit, shpyllëzimi dhe në vendin tonë ka avancuar me norma të larta ku që nga viti 2000 e deri në vitin 2017, Shqipëria ka humbur 5.5 % të totalit të pyjeve të saj, të cilët përbënin 17% të sipërfaqes totale të tokës.
Katër rajone kryesore rezultojnë përgjegjëse për 63% të të gjitha humbjeve të pemëve midis 2001 dhe 2017. Vlora kishte humbjen më të madhe të mbulimit me pemë me 8.7%. Më pas, Dibra, Korça dhe Shkodra.
Shpyllëzimi ka dhe pasoja ekonomike për vendin tonë ku sipas Organizatës për Ushqimin dhe Agrikulturën FAO, sektori pyjor ka kontribuar në ekonominë në nivel neto me humbje 5.2 milionë dollarë, që është afërsisht 0.1% e PBB-së së Shqipërisë. Njëkohësisht shpyllëzimi konsiderohet si një burim i shtimit të gazrave karbonikë CO2 në atmosferë ku sipas të dhënave përbën rreth 1.9% të emetimeve totale të gazit serë në Shqipëri gjatë të njëjtës periudhë. /k.j
Burimi: Panorama