Rruga e Kombit, banorët e Kukësit do të paguajnë 100 lekë për një kalim
Top Channel bën të ditura tarifat e rishikuara të Rrugës së Kombit. Ajo që do të ndryshojë është vetëm tarifa për banorët e zonës e cila pritet të jetë 100 lekë për një kalim ose 200 leke për dy kalime.
Megjithëse në dukje kjo tarifë do të favorizojë një pjesë të qytetarëve, kontrata koncensionare parashikon që të ardhurat e munguara nga kjo ulje sërish do të paguhen nga buxheti i shtetit, pra me paratë e taksapaguesve.
Rishikimi i tarifës erdhi pas një proteste masive në Kukës, ku qytetarët u përleshën me policinë dhe dogjën kabinat e pagesës në shenjë revolte ndaj vendosjes së tarifës në të vetmen rrugë që lidh Kosovën me Shqipërinë. 23 persona u arrestuan një ditë më pas në qytetin e Kukësit një ditë më pas.
Tarifat për pjesën tjetër të automjeteve mësohet se do të jenë të njëjta me ato të lajmëruara nga qeveria në fund të marsit 2018:
- Motorët do të paguajnë 2,5 euro për çdo kalim, pra 5 euro vajtje-ardhje;
- Autoveturat do të paguajnë 5 euro për çdo kalim, pra 10 euro vajtje-ardhje;
- Autobusët dhe kamionçinat do të paguajnë 11,2 euro për çdo kalim, pra 22,4 euro vajtje-ardhje;
- Kamionët e mesëm do të paguajnë 16,2 euro për çdo kalim, pra 32,4 euro vajtje-ardhje;
- Kamionët e rëndë do të paguajnë 22,5 euro për çdo kalim, pra 45 euro vajtje-ardhje
/l.k./