Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri letër të hapur institucioneve: “Më shumë mbështetje për gratë e dhunuara”
Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN) së bashku me organizatat e tij anëtare, ka bërë një vlerësim të problematikave të gruas në 8 qarqe të vendit. Kërkesat më emergjente, i janë bërë me dije institucioneve në nivel qendror dhe lokal me anë të një letre të hapur.
Së pari AWEN kërkon marrjen e masave të nevojshme për adresimin e çështjeve të rehabilitimit psiko-social ndaj personave të paditur/dhunues, ku ndër të tjera të përfshihen:
- Aplikimin e Nenit 10, pika “m” për masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje të Ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”;
- Njohjen, standardizimin dhe certifikimin e shërbimit ndaj dhunuesve, si domosdoshmëri për zbatimin e Ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”;
- Trajtimin psikologjik, psikiatrik dhe mjekësor të rasteve më të rënda, sipas një sistemi të koordinuar referimi mes ofruesve të shërbimit rehabilitues dhe strukturave shtetërore;
- Mbështetjen financiare të shërbimeve të ofruara nga organizatat e shoqërisë civile në këtë kuadër nga instancat shtetërore.
AWEN kërkon gjithashtu nga pushteti lokal që të përfshijë në buxhetin e vitit 2017, ngritjen e mekanizmit për referimin e rasteve të dhunës në familje dhe vendosja e Koordinatorit për Dhunën në Familje në çdo bashki; krijimin e një Strehëze Emergjence (Shelter) pranë çdo bashkie si pjesë e detyrimeve të pushtetit vendor; përjashtimin nga taksat për gratë kryefamiljare të papuna; me të ardhura nën minimumin jetik; të mbijetuara të dhunës në familje; ish viktima të trafikimit dhe përfshirjen e tyre.
/m.g/