Rrethi vicioz i punësimit, nga mund të vijë rritja?
Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, çdo vit i shtohen tregut të punës rreth 40 mijë të dilplomuar. Kësaj oferte të madhe të studentëve, nga ana tjetër i përgjigjet një kërkesë e cunguar dhe e parakorduar me dijet që pjesa më e madhe e tyre kanë marrë në 3 apo 5 vitet e shkollës.
Është e pashmangshme që shumë studentë do të përballen më një të vërtetë të hidhur kur të dalin në tregun e punës: sektorët që gjenerojnë vende pune janë fasoni dhe call centerat, të cilat kanë produktivitet të ulët dhe për rrjedhojë paga të ulëta.
Dhe kjo, për atë pjesë që do të arrijë të gjejë punë. Shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç, në fund të vitit 2015 është 33.2%. Një tjetër lajm negative është se papunësia është rritur ndjeshëm, rreth 2%, tek kategoria e të rinjve me arsim të lartë.
Ndërkohë që kompani private të industrisë së rëndë, si Albpetrol dhe Bankers Petroleum nuk pritet të jenë agresive në ofertën për vende pune, për shkak të konkurencës së pafavorshme të çmimeve me tregjet ndërkombëtare, sipërmarrje të tjera si Kurum apo Armo, praktikisht kanë falimentuar.
Bankat dhe sipërmarrjet e telekomunikacionit e kanë ndaluar zgjerimin e aktivitetit, duke qendruar në vend apo duke ulur numrin e personave të punësuar. Vodafone, Eagle Mobile dhe Albanian Mobile Communication e kanë reduktuar numrin e punonjësve krahasuar me vitin 2014.
INVESTITORËT E HUAJ LARGOHEN, I KUJT ËSHTË FAJI?
Një sërë investitorësh të huaj kanë shfaqur interes për të hyrë në tregun shqiptar, por një prej arsyeve që planet e tyre janë prishur ka qenë edhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, raporton “Monitor”. Kompanitë Capcon, Johnson Control dhe Lear kanë studiuar tregun shqiptar tre vitet e fundit për të hapur linjat e tyre të prodhimit. Tani të tre kompanitë kanë hapur aktivitete në Maqedoni, duke punësuar mijëra persona.
Andronaq Londo, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, tha për “Monitor”, se Shqipëria e ka humbur konkurrueshmërinë në burimet njerëzore, për shkak të mundësive të kufizuara në infrastrukturë dhe laboratorë.
Teknologjia e informacionit është një tjetër sektor që mund të tërhiqte investime me vlerë të shtuar në vend. Dekania e Fakultetit të Informacionit dhe të Teknologjisë, Rozeta Miho, tha për “Monitor” se këto dy vitet e fundit, shumë kompani të huaja janë interesuar pranë fakultetit për të kontraktuar në punë programues. Dekania tha se në Shqipëri, tregu i punës nuk ofron rroga stimuluese për burimet njerëzore shumë të kualifikuara. Duke qenë se Europa është afër gjeografikisht me Shqipërinë, gjithnjë e më shumë studentët e mirë zgjedhin të punojnë jashtë Shqipërisë.
Mungesa e infrastrukturës në universitete që nga sallat e mësimdhënies dhe laboratorët e kufizojnë fakultetin të prodhojë punonjës IT, nëse nga ana tjetër do të kishte një kërkesë gjithnjë e në rritje, tha ajo.
Dyqanet e vogla, edhe për sa kohë do të mbijetojnë
Hapja e një dyqani në lagje, me qira, apo në pronësi, ka qenë në vite një formë vetëpunësimi për pjesën më të madhe të shqiptarëve, që në mungesë të alternativave të tjera, i kanë dalë për zot vetes.
Sipas të dhënave të Anketës Strukturore të INSTAT, për vitin 2014, tregtia me pakicë ka numrin më të madh të të punësuarve në vend, me rreth 52 mijë, nga të cilët 30 mijë, apo 60% janë të vetëpunësuar, raporti më i lartë i të vetëpunësuarve nga të gjithë sektorët. Por, vitet e fundit, ky sektor nuk po arrin të gjenerojë më fitime të larta, për shkak të shtimit të konkurrencës nga qendrat tregtare dhe supermarketet dhe rënies së fuqisë blerëse. Presioni për t’u formalizuar nga ana tjetër po i nxjerr zbuluar shumë prej këtyre bizneseve të vogla, që po gjenden në dilemën nëse do të arrijnë të mbijetojnë në këtë mjedis të vështirë dhe shumë kanë filluar të mbyllen.
RRethi vicioz i punësimit – Nga do të vijë rritja
-Industria nxjerrëse është në vështirësi për shkak të rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare
-Tregtia me pakicë, që ka numrin më të madh të të (vetë)punësuarve në vend, po vuan konkurrencën nga qendrat tregtare, rënien e konsumit dhe presionin e formalizimit, duke bërë që shumë dyqane në shkojnë drejt mbylljes
-Bankat janë në stanjacion prej vitesh
-Sektori i telekomunikacioneve po e optimizon numrin e punonjësve
-Investimet e huaja, që do të sillnin kapital të freskët dhe vende të reja pune nuk po duken, teksa klima në vend, sipas deklaratave të tyre, mbetet e rënduar
-Biznesi nuk po shfrytëzon kapacitetet ekzistuese, jo më të investojë për t’i zgjeruar ato çka do të mundësonte hapjen e vendeve të reja të punës
– Mungon vizioni i qeverisë për të orientuar arsimin drejt sektorëve me potencial për të tërhequr investimeve dhe për të rritur vlerën e shtuar
-Shpresa mbetet te zhvillimi i mëtejshëm i call center, mbijetesa e fasonit, zgjerimi i shërbimeve dhe investimet e fundit në gazsjellësin TAP dhe hidrocentralin e Devollit.
-Shqipërisë i mungojnë punëdhënësit e mëdhenj privatë. Vetëm 50 sipërmarrje kanë më shumë se 300 punonjës.
Burimi: Monitor *Ornela Liperi
/l.k./