Publikohet raporti vjetor për respektimin e të drejtave LGBTI+: Shqipëria ka ende shumë punë përpara!

Një raport vjetor për vitin 2018 është publikuar prej organizatës ILGA-Europe mbi respektimin e të drejtave të personave të komunitetit LGBTI+. Ky raport mbulon disa nga aktivitetet dhe ndodhitë më të rëndësishme për periudhën Janar-Dhjetor 2018. Ky raport mbulon zhvillimet më të rëndësishme sociale, ekonomike dhe politike që afektojnë jetën e komunitetit LGBTI+ në Europë dhe Azinë Qendrore. Sa i përket Shqipërisë, raporti vë në dukje numrin në rritje të personave të komunitetit, sidomos të rinjtë, që kërkojnë mënyra se si të largohen nga vendi përmes azilit politik.
Ky numër ka ardhur në rritje për shkak të homofobisë, bifobisë dhe transfobisë që dominon në vend.
Gjuha diskriminuese në diskursin publik
Në mars 2018 organizata “Aleanca LGBT” organizoi 5 aktivitete edukuese dhe takime ndërgjegjësuese me gjimnazistë në Tiranë. Me dhjetëra politikanë të krahut të djathtë poitik i kritikuan ashpër këto takime edukuese.
Gjuha e urrejtjes dhe ajo diskriminuese vijon të mbetet problematike në media, sidomos në atë online. Vetëm për vitin 2018 janë regjistruar 5 raste të gjuhës së urrejtjes dhe dy ankimime janë depozituar pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Dhuna
Gjatë 2018 “Aleanca LGBT” ka dokumentuar rreth 45 raste të krimeve me bazë urrejtjen kundër personave LGBTI+. Asnjë nga këto raste nuk është ndjekur penalisht nga policia. Në një prej rasteve të raportuar, oficeri policor i ka kërkuar viktimës (në këtë rast një gruaje transgjinore) të tërheqi ankesën, duke e siguruar se do ti garantonte asaj siguri. Dy javë më vonë ajo u sulmua nga i njëjti person dhe këtë herë u detyrua të merrte mjekim në spital.
Shumica e viktimave kanë vështirësi për të aksesuar sistemin e drejtësisë. E vetmja mënyrë për komunitetin për të shkuar në komisariat është kur janë të shoqëruar me një pjesëtar të stafit të Aleancës.
Edukimi
Në 2018, një numër i madh personash LGBTI+ e braktisën shkollën si pasojë e bullizmit. Në 31 maj organizata “PINK Embassy” publikoi një raport “Perceptimet e mësuesve ndaj personave LGBTI+ në gjimnazet publike në Shqipëri”. Raporti bazohej në 200 intervista të zhvilluara midis 2016-2017 në 6 qytete. Rreth 66% e mësuesve u shprehën se nuk ndërmerrnin masa në rast se ndeshnin bullizëm me bazë homofobinë, bifobinë dhe transfobinë.
Më shumë se 2/3 e tyre u shprehën se i mbështesin studentët LGBTI+ dhe se 10% u shprehën se nuk do ti mirëprisnin në klasë nxënës, pjesë të këtij komuniteti. Si pjesë e planit kombëtar të veprimit për personat LGBTI+ për vitet 2016-2020, Ministria e Arsimit, Bashkia e Tiranës dhe Aleanca LGBTI+ nisën një seri punëtorish në shkollat publike në mars. Kjo fushatë ndërgjegjësuese kishte për synim eleminimin e diskriminimit me bazë orientimin seksual si dhe rrëzimin e stereotipeve gjinore.
Këto aktivitete u përballën me një sulm të fortë në media dhe rrjetet sociale, mbushur me gjuhë urrejtje si dhe figura zyrtarësh publikë që përdorën gjuhë denigruese. Një program televiziv përdori gjuhë tallëse ndaj kësaj iniciative të përbashkët.
Fillimisht Ministria e Edukimit mohoi të ketë pasur dijeni për këto aktivitete. Më vonë u pranua se këto aktivitete ishin pjesë e planit të aktiviteteve nga ministria, por vetëm në kuadrin e një projekti pilot. “Aleanca LGBT” i dërgoi një letër publike kryeministrit duke i kërkuar të apelojë kundër gjuhës së urrejtjes. Por reagimi mungoi.
Gjithashtu heshtja institucionale erdhi dhe nga institucioni i Avokatit të Popullit. Të gjitha këto sollën ndalimin e aktiviteteve kundër bullizmit në shkolla.
Barazia gjinore
Në 17 maj “PINK Embassy” publikoi gjetjet e raportit monitorues të Planit Kombëtar të Veprimit për personat LGBTI+ në Shqipëri. I hartuar bashkarisht prej institucioneve publike, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale si dhe organizatave LGBTI+, raporti konkludon se pavarësisht hapave pozitivë, Shqipëria ende ka një rrugë të gjatë përpara deri në arritjen e barazisë gjinore.
Sa i përket strehimit social, Ligji mbi strehimin i aprovuar në 2018 e identifikon komunitetin LGBTI+ si një ndër grupet që mund të përfitojnë nga programi i strehimit. Mirëpo nga ana tjetër qendra “Streha” e hapur në 2004, e cila njihet si një qendër që ofron shërbim, nuk merr asnjë mbështetje financiare nga qeveria shqiptare.
Liria e tubimit
Në 2018, Parada e Krenarisë u ndoq nga 400 pjesëmarrës, bashkëpunimi me policinë ishte pozitiv dhe asnjë incident nuk u regjistrua.
Shëndetësia
Organizata “Aleanca LGBT” e vijoi programin e testimeve të HIV dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme për këtë vit. Shërbimet shëndetësore për personat trans nuk jepen. Kjo e vështirëson aksesin në shërbimet shëndetësore nga komuniteti trans. Pjesëtarë të stafit të aleancës shoqërojnë persona transgjinorë për të shmangur trajtimin diskriminues të doktorëve.
Njohja ligjore e identitetit gjinor
Personat transgjinorë ende nuk kanë mundësi për të ndryshuar emrin apo shënjuesin e seksit në dokumentet zyrtare. Një draft ligjor iu propozua qeverisë në 2013 mbi njohjen ligjore të identitetit gjinor, por asnjë iniciativë nuk është ndërmarrë që atëhere. Në 16 maj “Pink Embassy” e ridorëzoi këtë draft ligjor në parlament.
/k.m/