Protestë për mbrojtjen e Holtës dhe Zagorisë

Ditën e sotme, aktivistë të mbrojtjes së mjedisit, banorë të Zagorisë dhe Gramshit, ambjentalistë dhe qytetarë të Tiranës organizuan një protestë në sheshin Skënderbej, kundër ndërtimit të HEC-eve në Holtë dhe kërkimeve për naftë në parkun kombëtar të Zagorisë.
Përveç pasojave shkatërruese për mjedisin, planet e miratuara tashmë rrezikojnë të dëmtojnë dhe ekonomitë lokale të cilat aktivitet kryesor ekonomik kanë agroturizmin.
Protestuesit denoncuan fillimin e punimeve në Holtë, kanionet e së cilës janë të mbrojtura nga shteti si monument natyror dhe vendimin për fillimin e shpimit të puseve të naftës në Zagori. Para disa ditësh, kompania e hidrokarbureve Shell, njoftoi se është në prag të fillimit të kërkimit për naftë, vendim që u përshëndet dhe nga Kryeministri Edi Rama në Twitter.
Puset e naftës përveç ndotjes, rrezikojnë dhe prishjen dhe dëmtimin e 18 monumenteve të kulturës, kryesisht kisha të periudhës bizantine, ura dhe objekte të tjera historike.
Në protestë u denoncua dhe ndërtimi i HEC-eve në qarkun e Dibrës apo të guroreve në parqe natyrore. Institucionet përgjegjëse ende nuk kanë reaguar mbi pasojat që projektet energjitike do të kenë në mjedjs, përpos një deklarate të deputetit socialist Taulant Balla, i cili u shpreh se projekti i ndërtimit të HEC-it në Holtë do të anullohet./ k.j