“Protestë për Liri dhe Barazi”, aktivistët kërkojnë drejtësi për vdekjen e 27-vjeçarit Enea Ftoji
Foto: Familjarë dhe aktivistë kërkojnë drejtësi gjatë ceremonisë mortore të të ndjerit Ftoji në Korçë/ Informim.al
Ditën e enjte në qelitë e paraburgimit të komisariatit të Korçës u gjet trupi i pajetë i 27-vjeçarit Enea Ftoji. Ftoji, baba i tre fëmijëve u ndalua në 14 maj nën akuzën vjedhjes me dhunë dhe humbi jetën përpara se të dilte në gjykatë për të marrë masën e sigurisë.
Në njoftimin e policisë nuk janë bërë të qarta arsyet e vdekjes së Eneas por thuhet se nuk ka pasur shenja dhune dhe dyshohet se 27-vjeçari ishte përdorues droge.
Por dëshmitë e familjarëve të viktimës japin një tjetër version të ngjarjeve.
Entela, bashkëshortja e të ndjerit, rrëfeu për Top Channel se kishte konstatuar shenja dhune pas tërheqjes së trupit të viktimës nga morgu. Ajo shtoi se ishte vetë viktima që i kishte treguar se ishte dhunuar: “I flisja nga muri, i thashë vetëm kaq, Enea, pse të morën? Bëra një gabim më tha, e meritoj dënimin po jo këtë të rrahur që më kanë bërë, më kanë bërë copë moj”.
Gjatë ceremonisë mortore të 27-vjeçarit Ftoji, familjarë dhe dhjetëra aktivistë e pjesëtarë të komunitetit Egjiptian protestuan përpara komisariatit të Policisë Korçë, duke denoncuar rastin si vrasje për shkak të dhunës dhe diskriminimit.
Aktivistët e Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome kanë paralajmëruar një tjetër protestë në Tiranë. Ata i bëjnë thirrje qytetarëve të mblidhen të martën në orën 11:00 përpara Ministrisë së Brendshme.
“Në këtë protestë do të kërkohet nga Ministri i Brendshëm reagimi dhe marrja e masave për mos përsëritjen e rasteve të tilla. Trajtimi i pabarabartë dhe jotolerant ndaj këtij të riu egjiptian si dhe njerëzve të varfër në përgjithësi dëshmon për mosrespektim të të drejtave të njeriut. Ndaj ju bëjmë thirrje të bashkoheni me ne në këtë manifestim për të reaguar së bashku!”, thuhet në njoftimin e protestës në “Facebook”.
Prokuroria e Korçës njoftoi nisjen e hetimeve mbi këtë rast duke shtuar se janë sekuestruar kamerat e sigurisë dhe janë thirrur ekspertë mjeko-ligjorë nga Tirana.
/l.k./