Banorët e Unazës së Re kanë zhvendosur protestën ditën e sotme para Kuvendit, i cili sot mblidhet në seancën plenare të rradhës. Banorët vazhdojnë të kërkojnë dëmshpërblim me çmimin e tregut, ndërsa gjatë protestës sot me banorët janë bashkuar dhe deputetë të opozitës.
Forca të shumta policore kanë rrethuar Kuvendin për të mbajtur në kontroll protestuesit dhe për të siguruar mbarëvajtjen e seancës, ku pritet të diskutohet buxheti i vitit të ardhshëm dhe emërimi i Ministrit të ri të Brendshëm.
Ndërkohë që në ambjentet e jashtme situata e tensionuar solli përplasje mes protestuesve dhe forcave policore, Kryeministri Rama nga foltorja e Kuvendit theksoi se nuk mund të shpërblehet çdo zaptues i pronës publike. Shefi i qeverisë iu bëri thirrje qytetarëve të Astirit të largohen nga protesta para Parlamentit, sepse nuk do të ketë asnjë dëmshpërblim për zaptuesit dhe të pronarët e paligjshëm tek “Unaza e Re”.
Protestuesit refuzojnë të tërhiqen pavarësisht deklaratave të vazhdueshme për subvencionimin e qirasë nga qeveria dhe dëmshpërblimin për pronat e legalizuara.
Gjatë përleshjeve me policinë, 13 efektivë të Policisë u plagosën së bashku me 3 protestues, ndërsa Policia e Shtetit, në një komunikatë zyrtare bëri thirrje për distancimin e protestuesve nga dhuna.
Në orën 17:00 protestuesit njoftuan vazhdimin e qëndresës nga zona e Unazës së Re./k.j