Problemi i pasaportave të arta, Greqia shet shtetësinë për 250 mijë euro
Pavarësisht paraljamërimeve të shumta për rrezikun që mbart, shitja e shtetësisë europiane përmes programit të pasaportave të arta, duket se sa vjen e po bëhet me e përhapur dhe më e lirë. Së fundmi, në Greqi po lulëzon kjo veprimtari e cila rrezikon futjen e individëve të padëshiruar në Bashkimin Europian.
Mjafton një investim prej 250 mijë euro dhe kujtdo mund t’i hapet porta për në Bashkimin Europian. Biznesi me “Golden Visa Programm” po përjeton bum. Kërkesat më të shumta vinë kryesisht nga Kina, Rusia dhe Turqia.
“A ëndërroni edhe ju për një jetë në Greqi apo në BE?”, Kjo reklamë për qytetarët jashtë BE-së, është vendosur në mënyrë të spikatur direkt para parlamentit në Athinë.
Më lirë se kaq pasaporta e BE-së nuk gjendet askund tjetër. Shefi i “Enterprise Greece”, i cili bën reklamë në mbarë botën me “Golden Visa Programm”, nuk e pranon që është kaq e lehtë. “Ka kontrolle të rrepta, që ndërmerren nga ambasadat dhe bankat për prejardhjen e parasë dhe kurikulumin e njerëzve. Mos harroni, se ka raste, në të cilat verifikimi zgjat dy vjet. Do të habitesha, nëse do të kishte edhe vetëm një rast të vetëm, në të cilin të jetë konstatuar kundërvajtje e megjithatë të jetë lëshuar viza e artë.”
Gati dhjetë mijë pasaporta janë lëshuar vitin e kaluar, e kësisoj janë derdhur rreth një miliardë euro në arkën greke. Korrupsion, pastrim paraje, largim i kapitalit, evazion fiskal – janë disa nga akuzat më të përmendura në kontekstin e shitjes së pasaportave. Megjithatë ky lloj biznesi në shumë vende anëtare të BE-së është kthyer në një burim të sukseshëm të ardhurash. /k.j
Burimi:DW