Po unë, ç’ punë kam në PARADË?

Muaji Maj njihet tashmë gjerësisht si një moment kulminant për të festuar e shprehur krenarinë nga dhe për komunitetin LGBTQ+. Një periudhë globale e mbushur me aktivitete, lobim, ndodhi, festa, parada dhe ndërgjegjësim të shtuar mbi integrimin e mëtejshëm në shoqëri të çdo personi me një orientim seksual, identitet gjinor apo shprehi gjinore jo heteronormative.
Pra, jo të ngjashme me normat e përcaktimet se si shoqëria deri më sot ka vendosur se çka përfaqëson një grua apo vajzë dhe një burrë apo djalë.
Siç tashmë dihet, për të disatin vit rradhazi edhe në Shqipëri nuk qëndron e heshtur Parada e Krenarisë, e cila çdo vit merr një tematikë të re duke u përshtatur me nevojat e momentit. Vjet, në vitin 2023 ‘’Hape Zemrën’’ ishte fraza që shoqëronte secilin që ishte i angazhuar me zell në këtë kauzë.

Ndërsa sivjet, ‘’Një ngjyrë, një familje’’ është një thirrje gjithëpërfshirëse, për çdo familje të çfarëdo forme dhe përmase. Një thirrje për të pranuar të ngjashmin dhe të ndryshmin. Një thirrje për të qenë të hapur për të kuptuar ato brënda familjes tonë dhe jashtë saj.

Dhe nëse po pyet se ç’ të duhet ty të shkosh në Paradë, e kemi një përgjigje.
Të shkosh tek Reja në 25 Maj, në orën 17.00 për të kuptuar se sa e bukur është bota kur të gjithë janë në harmoni ose të hapur për dialog.
Ti bashkohesh paradës për të parë se sa ngjan apo ndryshon me të tjerët.
Të jesh prezent për të parë më shumë veten në pasqyrë.
Të njohësh shoqërinë në gjithë nivelet e saj.
Të vish për të festuar me vetëbesim identitetin tënd, orientiminm dhe se si ti e shpreh veten.
Të vish, për ta mbajtur mënd datën 25 maj, orën 5 pasdite, te Reja në Tiranë si një ditë ku je ndjerë i/ e vlerësuar.