Panairi i 9-të Kombëtar i Trashëgimisë, Artizanatit dhe Turizmit në Gjirokastër
Për të 9-in vit rresht, në qytetin e Gjirokastrës, po zhvillohet Panairi i “Trashëgimisë, Artizanatit dhe Turizmit”. Ky aktivitet organizohet nga Fondacioni “Gjirokastra”, në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit, në datat 28, 29 dhe 30 Shtator.
Panairi i Trashëgimisë, Artizanatit dhe Turizmit, është bërë traditë tashmë për qytetin e grutë, të zhvillohet çdo fundshtatori që nga viti 2007 me pjesëmarrjen e artizanëve nga gjithë Shqipëria dhe nga vendet fqinje. Tashmë ai është konsoliduar si një event turistik shumë i rëndësishëm për Gjirokastrën, evente këto që ende vazhdojnë të jenë shumë të pakta në kryeqytetin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.
Në Panair paraqiten rregullisht rreth 100 artizanë dhe punimet e tyre shpalosen drejtpërdrejt në kalldrëmet e Pazarit të Gjirokastrës, duke përfshirë qindra produkte të realizuara në teknika të ndryshme artizanale, në tekstil, dru, gur, qendistari, metal, lëkurë, materiale të ricikluara, produkte ushqimore etj. Në njoftimin për shtyp të Fondacionit “Gjirokastra” thuhet se këtë vit në Panair marrin pjesë artizanë e shoqata artizanësh nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Rusia.
Panairi i Gjirokastrës është i vetëmi aktivitet i këtij lloji që zhvillohet pa ndërprerje prej gati 10 vitesh në shkallë kombëtare, duke sjellë edhe një shtysë të re për prodhimin dhe krijimtarinë në fushën e artizanatit. Sot në Pazarin e Gjirokastrës ka një zhvillim të dukshëm të artizanatit me afër 40 artizane dhe artizanë aktive dhe më se 10 dyqane e punishte produktesh artizanale, nga 2 që ishin në Panairin e parë para 8 vjetësh.
Por këtë herë, panairi nuk është thjesht ekspozitë artizanale, këtë vit ai është konceptuar si një mozaik aktivitetesh kulturore dhe artistike. Kështu në “Gjirokastra 2015” do të ketë një seri aktivitetesh të reja, që do të pasurojnë atmosferën e gëzueshme për qytetarët dhe vizitorët.
I tillë është diskutimi që do bëhet për anekdotat për Gjirokastrën, turi nëpër toponiminë e veprave të Kadaresë, një tryezë e rrumbullakët që do të zhvillohet për sterat dhe pusat e Gjirokastrës si një veçori karaktersitike me vlera ekologjike dhe turistike, apo një ekspozitë me punimet e të rinjve, lidhur me përfytyrimin që ata kanë për trashëgiminë komuniste. Por ajo që përbën risinë e sivjetshme është Festa e Djathit, që mbështetet mbi traditën dhe emrin që ka prodhimi i djathit në Gjirokastër. Ky aktivitet synohet që brenda disa vitesh të zhvillohet duke krijuar një ditë të shënuar për të ardhur në Gjirokastër.
Por në njoftimin për shtyp të Fondacionit “Gjirokastra”, thuhet se jo gjithçka shkon vaj. Ata thonë se Gjirokastra ka nevojë urgjente për një kalendar gjithëvjetor aktivitetesh dhe eventesh për vizitorët dhe turistët e saj gjithnjë e më të shumtë./M.G