Nuk luhet përdhunimesh, marshim i heshtur në Tiranë kundër dhunës seksuale

Ditën e sotme, qytetarë të Tiranës organizuan një protestë dhe marshim të heshtur kundër dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave.
Të mbledhur fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit, protestuesit marshuan në heshtje drejt Drejtorisë së Policisë duke mbajtur në duar pankarta dhe thirrje për shoqërinë dhe institucionet.
Protesta erdhi si reagim ndaj rastit të ndodhur në Kavajë dhe portretizimit të rastit në media.
Të shumta ishin protestueset e ardhura me fëmijët e tyre në protestë, duke kërkuar dhënien fund të fenomenit të heshtjes dhe edukimin e brezave të ardhshëm mbi edukatën seksuale dhe barazinë në një marrëdhënie.
Aktiviste për të drejtat e grave dhe qytetarë protestues, përmes thirrjeve të tyre dhe pankartave që mbanin nëpër duar, sollën dhe njëherë në vëmendje reagimin e dobët institucional dhe kritikuan fenomenin e fajësimit të viktimës.
Pavarësisht pjesëmarrjes dhe reagimit të dobët qytetar, sërish vëmendja e publikut mbetet te rasti në fjalë, i cili është tregues i qartë i mungesës së informacionit dhe edukimit për brezat e tanishëm, ku normalizohet fenomeni i përdhunimit dhe ende nuk konceptohet barazia midis vajzave dhe djemve. /k.j