”Nuk jam transgjinore, jam vajzë”
Linda Rei , e njohur ndryshe si personi i parë në Shqipëri që ka dalë në media e ka folur hapur për nënshtrimin e saj ndaj kirurgjisë për ndryshimin biologjik të seksit SRS( Sexual Reassignment Surgery) ka qenë ditën e djeshme e ftuar në një emision televiziv.
Emisioni solli një konfrontim argumentesh mes moderatores, Rudina Magjistari dhe të ftuarës për shkak se kjo e fundit u cilësua nga moderatorja si transgjinore gjatë prezantimit në hyrje dhe përgjatë emisionit. Madje që përpara se Linda të hynte në studio prezantimi nga ana e moderatores nis me fjalët: “…ne do të fillojmë menjëherë me të ftuarin apo me të ftuarën…’’ duke e dyzuar seksualitetin e të ftuarës edhe pse identiteti gjinor me të cilin Linda tashmë identifikohet është grua (pra e ftuar).
Tekstualisht debati gjendet i zbardhur më poshtë:
Moderatorja: …sepse po të lexosh intervistat e ndryshme të personave transgjinorë…
Linda: Unë nuk jam transgjinore.
Moderatorja: Ti nuk je transgjinore? Por ti je shndërruar, ke ndryshuar gjini.
Linda: Unë jam femër. Fjala thjesht trans është një term që do të thotë ‘’midis’’, ‘’në mes’’…Ti je transgjinore në momentin që je mashkull por ndihesh e vishesh si femër.
Moderatorja: Atëhere s’je transgjinore, je transeksuale
Argumentimet vijuan nga të dyja palët. Moderatorja i mëshon përdorimit të termit transgjinor apo transeksual duke thënë se ka lexuar mbi termat transgjinorë apo “transgender” në anglisht përpara emisionit duke dhënë definicionin “persona që ndihen ndryshe në një trup të huaj…’’ Ndërkohë e ftuara sqaron se në mometin kur kryhet operacioni i ndryshimit të seksit biologjik ti nuk cilësohesh më si transgjinore por me identitetin e seksit të ri.
Linda e bëri të qartë që në fillim të emisionit se nuk dëshiron të cilësohet me termin transgjinore dhe as nuk preferon të përfaqësojë komunitetin e personave trans në Shqipëri. Pjesa që duhet të ngjallë debat nuk është nëse duhet t’i quajmë transgjinorë personat pasi kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale për ndryshimin e seksit biologjik, por fakti se kemi të bëjme me mosrespektim të identitetit gjinor të së ftuarës.
Duhet theksuar se respektimi i identietit gjinor me të cilin një person dëshiron të identifikohet është e drejtë e gjithësecilit dhe përbën njëkohësisht dhe respektimin e etikës në media. Linda nuk heziton të tregojë në një moment të dytë gjatë emisionit për mungesën e profesionalizmit të mediave kur bëhet fjalë për seksualitetin dhe identitetin gjinor të personit, pasi edhe në emisone të tjera ajo është cilësuar si transgjinore, një term ky i gabuar pasi ajo tani dëshiron të identifikohet si grua.
Kjo ngjarje tregon sa e painformuar është media në trajtimin e cështjeve gjinore. Është e dukshme që në këtë emision moderatorja nuk ka pasur për qëllim diskriminimin, por fakti që nuk dëgjon si duhet të ftuarën dhe e kthen debatin në “luftë termash”, sjell mosrespektimin e identietetit gjinor të të ftuarës dhe lindjen e keqkuptimeve.
Më poshtë gjendet emisioni i plotë:
/k.m./