Edi Rama, pas tij si me urdhër një e nga një Mero Baze, Mirela Kumbaro, e pastaj edhe i gjithë enturazhi edramist, kishin dje një nevojë urgjente për t’u asocuar me figurën e Prof. Luljeta Bozo.
Duke qenë se vitet e fundit, me fonde të buxhetit të shtetit është ngritur një makineri gjigande propagande në zyrat e Kryeministrisë edhe në Bashkinë e Tiranës, makineri që synon ta vdesë sensin kritik tek qytetarët, e për pasojë edhe reagimin e tyre, shumë vetë u përballën me intelektualizmin e zonjës në fjalë me të njëjtin entuziasëm edhe kërshëri si, për shembull, indigjenët amerikanë kur panë për herë të parë pasqyrën e kolonizatorëve.
Kjo, si dhe nevoja për një zë të kthjellët, të pavarur edhe autoritar, e bëri profesoreshën brenda javës personazhin më të dashur, duke detyruar makinerinë e propagandës që ta ftonte me urgjencë në Kryeministri, që lideri jo vetëm të shfaqej si një lider që dëgjon njerëzit e urtë, por mundësisht të dukej edhe ai, po aq i urtë, por pse jo, edhe më i urtë se ajo!
Mirëpo, teksa i shikoje të dy përballë, ai duke folur më shumë se ajo, në kolltuqet modernë të dizajnit të viteve ‘50-të, atëherë kur nisën edhe përpjekjet e para për të ngritur nga themelet arsimin e lartë shqiptar, nuk mund të mos dalloje që Rama dhe profesoresha ishin jo thjesht dy qënie të ndryshme, por dy botë të papajtueshme me njëra tjetrën.
Cfarë përfaqëson ajo, tashmë është e qartë.
Por çfarë përfaqëson ai ka nevojë ta rikujtojmë vazhdimisht, për të mos u konfuzuar nga propaganda.
Rama dhe qeveria e tij janë alergjikë të mendimit kritik. Ata e kanë zhdukur qëndrimin kritik nga qeveria, nga parlamenti, nga pushteti lokal, nga çdo institucion që kanë zaptuar (ose vjedhur e blerë, përmes vjedhjes e blerjes së votës), sepse përkundër qëndrimit kritik, ata kanë nëvojë për njerëz që nuk mendojnë, në mënyrë që ti sundojnë më kollaj.
Rama, pas nazistëve dhe pas çdo sistemi tjetër diktatorial, është i vetmi kryeministër në botë që me taksat e popullit ka ngritur një sistem të tërë propagande, jo që ta largojë qytetarin nga filtri i gazetarëve të kazanit, por për t’ia vdekur qytetarinë, vullnetin e lirë, mendimin kritik dhe autonominë e veprimeve.
Qytetari, apo njeriu i ri që kërkon dhe promovon Rama sot, është një qytetar që duhet të jetë në unison në lavdet që duhet ti bëjë qeverisë, edhe kur kjo e vjedh ditën për diell, edhe kur kjo e vret me paaftësinë e vet, edhe kur kjo ia vdes dinjitetin.
Eshtë një qytetar që nëse ia tregon si qeveria vjedh votat, ai duhet të thotë: “nuk është e vërtetë, nuk e bën Edi Rama këtë”! Apo, nëse gjithë bota i thotë se nuk meriton të hyjë në BE, ai të thotë: “e ka fajin BE që njëherë na futi, e pastaj na nxori!”
Qytetari ideal sipas Edi Ramës, është ai që duhet të besojë se lali Eri ka mbjellë 100 mijë pemë, madje do mbjellë 1 milion pemë të tjera! Eshtë ai qytetar I pushtuar nga koshienca fallco, që e bën të mendojë këtë budallallëk, sipas të cilit nuk është ai që: “Po mirë, po iku Edi, kë të vemë?”, a thua se në një sistem demokratik nuk e zgjedh qytetari politikanin, por politikani veten!
Njeriu I ri që kërkon Rama është një qytetar që edhe nëse nuk arrin dot ta mundë llogjikën e vet duke e shkelur me këmbë, të paktën mos ketë guxim të thotë atë që mendon në të vërtetë. Nëse as këtë nuk e bën dot, të zhduket sa më pare! E mundësisht, sa më kritik të ketë qenë pasi të jetë sikterosur përfundimisht, e sa më ideologjik të ketë qenë në kritikën e vet, aq më të madhe t’ia dedikojmë hapësirën e vrerit në gazetat e qeverisë.
Edi Rama dhe njerëzit që e ndjekin dhe kanë vendosur me vullnet të lirë të shtypen, e të bëhen pjesë e sistemit gënjeshtar që kanë ngritur bashkë, janë ndoshta njerëzit më anti-intelektualë që ka parë ndonjëherë historia moderne e Shqipërisë.
Dhe çfarë është më interesantja në aspektin intelektual, është mania e tyre e dëshpëruar për t’u dukur intelektualë… Për këtë arsye duhet të ishin dje në anën e Prof. Bozos, mundësisht edhe ta sfumonin atë, duke e marrë edhe duke e shitur në ERTV si medemek njeriun e tyre, që vetëm ata mund ta vlerësojnë. Nëse ndonjë budalla beson ashtu në delir, se është Rama vetë dhe sistemi i tij që e kanë prodhuar një njeri si profesoresha, akoma më mirë!
Mund të thonë se kanë marrë diploma jashtë Shqipërisë, mund të thonë se janë njerëzit më me shije që ka parë ndonjëherë Shqipëria, mund të mburren deri në vetmohim, por në fund janë dy detaje që i nxjerrin zbuluar, një detaj I pandërgjegjshëm dhe një tjetër që është substantial.
Së pari, Rama që lexon libra marketingu, ose ndoshta ndonjë libër të Alastair Campbell që ia jep Fuga, e pas tij të gjithë edramistët, edhe ata që kanë qenë 7 vjet nëpër shkolla private për të marrë diploma 3 vjeçare në shkenca politike, të thonë zakonisht kur nuk dinë si ta mbyllin një debat kritik gjëra të tipit: “shko në shkollë se nuk e di sa i paditur je”, ose: “lexo një libër”. Shikoni për shembull sa shpesh ia thotë këto fjalë Rama njerëzve në Facebook.
Asnjë intelektual nuk të thotë: “lexo një libër”. Njerëzit që lexojnë një libër, kanë prirjen të vijnë tek ty dhe ta ndajnë bukurinë e asaj që kanë lexuar, sepse kjo është natyra njerëzore, kjo është natyra e intelektualit. Ata që kanë lexuar vetëm disa faqe të një libri, përgjithësisht kanë nevojë të mburren duke të të thënë “shko lexo një libër”, për të justifikuar padurimin që kanë, në fakt, për ta mbaruar atë libër.
Por më i rëndësishmi detaj, që e tregon se sa mediokër është Rama dhe të vetët, është detaji që ka të bëjë me trashëgiminë e tij. Kur të vijë ora, siç na vjen të gjithëve në jetë ora për të ikur, askush nuk do ta kishte besuar dot, për shembull 6 apo 7 vjet më parë, që në nekrologjinë e tij, nuk do shkruhej “një lider me vlera europiane, një artist largpamës që luftoi me ngjyra depresionin social të Shqipërisë e u ktheu shqiptarëve shpresën, intelektual dhe qytetar shembullor, që e nxori Shqipërinë nga tranzicioni dhe e rilindi”…
Se çfarë do të shkruhet, kjo le të mbetet si një ushtrim i autonomisë individuale: shtoni kështu, secili mendimin dhe fjalinë e vet kritike, pa asnjë frikë… Lista është e gjatë