Nga Halimi te Veliaj, spektakli i politikës dhe medias me të moshuarën
Fotografia e publikuar dje nga Nisma#Thurje, ku duket një polic i bashkisë duke gjobitur një të moshuar që shet në trotuar, zgjoi reagim të ashpër të qytetarëve në rrjetet sociale. I menjëhershëm edhe ishte reagimi i Kryetarit të Bashkisë, i cili dje i pagoi të moshuarës gjobën prej 500 lekësh, ndërsa sot e sistemoi atë në treg.
Të gjitha këto veprime, u shoqëruan me fotografi të publikuara në rrjetet sociale.
Me zhvillimin e rrjeteve sociale është bërë e zakonshme që politikanët të publikojnë fotografi ku shfqain anën e tyre njerëzore. Fotografitë në takime me qytetarë, shitës ambulantë, fëmijë, të moshuar, të gjitha kanë një të përbashkët, gjetja dhe pozimi me një person që përfaqëson një grup votuesish potencialë.
E çuditshmja në këtë rast është se i njëjti person që u “përdor” nga kandidati i djathtë Halim Kosova gjatë fushatës elektorale, sot pozoi me fituesin e asaj gare, kryebashkiakun Erion Veliaj.
Një tjetër aspekt interesant i kësaj ngjarje, është mënyra si po pasqyrohet nga mediat.
Njëra aludon se Halim Kosova i premtoi të moshuarës një treg të veçantë ku ajo do të shiste pir fatkeqësia erdhi sepse Veliaj fitoi Bashkinë.
Tjetra e paraqet të moshuarën të sistemuar në treg, me gjobën që i pagoi kryetari i Bashkisë, sikur sfida e tregtarëve ambulantë me policinë bashkiake mbaroi me një fund të lumtur.
/l.k./