Në kurth mes Izraelit dhe Hamasit, gjenerata e humbur e të rinjve të Gazës
Ata janë gjenerata e të rinjve e Hamas-it, të rritur nën dorën e hekurt të lëvizjes ushtarake Islamike. Ata janë të mbijetuarit e tre luftërave me Izraelin si dhe të një shtet-rrethimi që e gjejnë veten si të rinj të pashpresë me një të ardhme në qorrsokak.
Në shumë rrethe në Gaza, është e vështirë të gjesh dikë në të 20-at e tyre më status të punësuari, me një rrogë mujore.
Ata e quajnë veten brezi i humbur dhe i çuar dëm.
Dhjetë vite pas marrjes nën kontroll të Gazës, ekonomia përgjatë rripit bregdetar kërcënohet nga mos kompetenca, lufta dhe bllokada.
Gaza sot jeton duke shfrytëzuar çdo ndihmë ose mundësi që i del rrugës. Në çdo 10 persona, 7 jetojnë nëpërmjet ndihmave humanitare.
Të rinjtë shprehen se ata dita-ditës deprimohen.
Ata shqetësohen se shumë prej miqve të tyre po ‘’gëlltisin’’ drogërat që kontrabandohen në vend, pilula dhe kokrra që përdoren si qetësues kafshësh. Ata marrin doza të Tramadol dhe pijnë hashash. Ata duan të mpijnë realitetin përreth.
Liritë për tu shprehur janë të kufizuara. Por të rinjtë flasin pak. Ata shprehen se liderët e tyre kanë dështuar- dhe se izraelitët dhe egjiptianët po i shtypin.
Pse mos të rebelohesh ? Ata qeshin. Është shumë e vështirë të votosh për qeverinë- sa kohë nuk ka zgjedhje.
‘’Të jem i sinqertë, ne nuk bëjmë asgjë,’’ shprehet Bilal Abusalah, 24-vjeçar që ka bërë një kurs për infermieri por për të mbijetuar shet rroba për femra.
Ai dhe shumë miq të tij mbijetojnë duke punuar në punë të rastësishme, disa orë këtu disa atje. Disa prej tyre punuan në kafene përgjatë mbrëmjeve të Ramazanit në Korrik. Fitojnë rreth 10 dollarë në këto lloje punësh, disa qindarka sa për të mbuluar kafenë dhe cigaren.
‘’Ne jemi gjenerata që thjesht pret…’’ shprehet Abusalah. Reporterët pyetën një 25-vjeçar të diplomuar në Marrëdhënie me publikun, se çfarë bën ai për të jetuar. Ai përgjigjet, ‘’ Unë thjesht vëzhgoj tavanin’’.
Shumë të rinj të Gazës nuk kanë dalë jashtë këtij territori, as nga Izraeli, gjë që është praktikisht e pamundur, ose nga Rafah duke kaluar nga Egjipti, territor që ka qenë më së shumti i mbyllur në katër vitet e fundit.
Elektriciteti vjen vetëm katër orë në ditë. Aktivistët e rinj në kampin e refugjatëve guxuan të protestonin për këtë shkëputje elektrike por u dërguan menjëherë në burg.
Në botën e pluhurosur dhe gri në Gaza, të rinjtë e kalojnë kohën ditë për ditë duke luajtur në telefonat e tyre, bota e tyre është reduktuar në ekrane me madhësi sa pëllëmba e dorës, ku shohin video në Youtube.
Papunësia midis të rinjve në Gaza është rreth 60 %. Ky nuk është vetëm një numër i raportuar nga Banka botërorë. Ai është bilanci më i lartë në lindjen e mesme dhe ndër më negativet në botë.
Qeveria e Izraelit nën udhëheqjen e kryeministrit Benjamin Netanyahu shprehet se ajo çfarë ndodh në Gaza është e gjitha për faj të Hamas-it, një organizate terroriste. Liderët e Hamasit historikisht kanë fajësuar bllokadën e Izraelit për problemet e tyre. Në Gaza është bllokuar porti detar, aeroporti dhe eksporti mbetet i limituar, më së shumti fruta dhe perime, së bashku me disa mobilie dhe tekstile. Së fundmi situata është agravuar përgjatë rripit, teksa autoritetet palestineze i kanë shkurtuar pagesat për elektricitetin në Gaza, për të nxitur njerëzit që të refuzojnë Hamasin.
Të rinjtë e Gazës i përshkruajnë jetët e tyre si një eksperiment i ‘’sëmurë’’.
Universitetet në Gaza ende nxjerrin të diplomuar, edhe pse probabiliteti për të fituar një vend pune është zero, sidomos nëse je grua.
‘’ Të gjithë të rinjtë duan të largohen nga këtu’’ shprehet Mohammad Humaed, 24- vjeçari që ka studiuar për kinema në universitet por punon në një kafene disa netë në javë në një kamp refugjat. Të gjithë njerëzit duan të largohen.
Dy vite më parë, Kombet e Bashkuara paralajmëruan se Gaza mund të kthehet në territor të pabanueshëm rreth vitit 2020. Zyrtarët e UN janë shprehur së fundmi se kanë qenë më optimist seç duhet në deklaratën pararendëse pasi ky vend mund të përmbyset vitin tjetër./k.m/
Burimi: The Washington Post