Ndikimi i heshtur i krizës greke
Kur vëmendja është përqendruar në tregun e brendshëm e luftën ndaj informalitetit, efektet e krizës greke vazhdojnë të gërryejnë ekonominë tonë. Fasoni pothuajse është shuar, transporti është më shumë se përgjysmuar, depozitat nuk u rritën. Në kahun e zhvillimeve pozitive janë zgjerimi i eksporteve tona në Greqi dhe rritja e investimeve të huaja greke në Shqipëri.
Ndërsa ekonomia shqiptare është përfshirë në betejën kundër informalitetit, vëmendja nga efekti negativ i ekonomisë së sëmurë fqinje, Greqisë, u shua. Më saktë, këta muaj u lanë vetëm sipërmarrjet që bashkëpunojnë me tregun grek, si shoqëritë e transportit, fabrikat e fasonit, kompanitë tregtare e, mbi të gjitha, emigrantët e kthyer.
Shoqëria‘AlbaTrans’, konfirmon se numri i të punësuarve në shoqëri u reduktua për shkak të krizës greke, Me zhvillimet e fundit, kompanitë greke, kanë fituar ekskluzivitetin e transportit atje, ndaj agjensive tona të transportit u duhet të bashkëpunojnë me partnerët e tyre grekë.
Shoqata e Prodhuesve të Veshjeve, nga ana tjetër, bën të ditur se fabrikat e fasonit, pothuajse të gjitha në Jug të vendit, ose kanë mbyllur tërësisht aktivitetin ose e kanë përgjysmuar atë, duke mbijetuar me porosi nga tregje të reja.
Nëse flasim për atë që i druheshim, tërheqjes së depozitave, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në korrik, depozitat me afat të individëve ranë me 8.4 miliardë lekë, tkurrja më e fortë në tre vitet e fundit.
Ulja e depozitave nga individët i ka bërë të prekshme pasojat e krizës greke, ku jetojnë e punojnë pjesa më e madhe e emigrantëve në Shqipëri. Një përgjigje të tërthortë për këtë e japin agjencitë e udhëtimeve.
“Nëse një emigrant vinte tre herë në vit, këtë vit ka ardhur një herë ose nuk ka bërë asnjë udhëtim”, thotë një prej drejtuesve të Shoqatës së Transportit Ndërkombëtar në Tiranë.
Për sa i përket kthimit të punëtorëve me një zanat, vitet e fundit kanë treguar se emigrantët që kthehen hapin mobilieri, dyqan veshjesh, fast-food, pakrirukeri, duke sjellë një standard më të lartë shërbimi krahasuar me vendasit. Por shoqatat e biznesit, thonë se emigrantët që kthehen janë pjesë e atyre që duan të hapin një biznes, por që janë stepur nga masat që po merren së fundi nga qeveria.
Shoqatat e biznesit kërkojnë që institucionet të kenë në vëmendje ndikimin e krizës greke e të marrin masa në përgjigje të saj. Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë kanë pranuar se ekonomia jonë do të jetë 0.25% më pak nga rritja e parashikuar vetëm për shkak të krizës greke, por përfaqësuesit e biznesit paralajmërojnë se efekti do të jetë më i lartë, nëse nuk merren hapa për të zbutur ndikimet në ekonominë tonë. /m.g/
Burimi: Revista Monitor