Ndalohen në komisariat organizatorët e protestës së sotme për vdekjen e të riut në qelitë e paraburgimit
Ndalohen nga policia disa nga organizatorët e protestës së sotme mbi vdekjen e 27-vjeçarit Enea Ftoi në qelitë e paraburgimit të Komisariatit të Korçës.
Aktivistët e Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome (LRER) kishin njoftuar Drejtorinë e Policisë Tiranë për mbajtjen e tubimit që prej datës 19 Maj 2018. Por vetëm një orë përpara kohës së parashikuar në njoftim, policia i mohoi qytetarëve të drejtën e mbajtjes së tubimit.
Familjarët, aktivistët dhe qytetarët e mbledhur e vazhduan paqësisht tubimin duke kërkuar drejtësi mbi vdekjen e Enea Ftoit, baba i tre fëmijëve, i cili humbi jetën në një ambient ku institucionet shtetërore kanë detyrimit ta mbrojnë.
Pak kohë pas përfundimit të protestës, disa nga aktivistët morën një telefonatë ku i kërkohej të paraqiteshin në Komisariatin Nr. 1 në Tiranë. “Na mbajtën rreth 45 minuta, na bënë disa pyetje dhe plotësuam deklaratën” tha një prej aktivistëve të ndaluar për Historia Ime. Ai tregon se sjellja e policit gjyqësor ishte korrekte, megjithatë askush nga të ndaluarit nuk është informuar për masat që do merren më tej. Nëse merret parasysh precedentët e masave të Policisë së Shtetit në raste të ngjashme, aktivistët rrezikojnë të procedohen penalisht për organizim të tubimit të paligjshëm.
Foto: Kërkesa drejtuar Drejtorisë së Policisë Tiranë për organizmin e tubimit; LRER 19 Maj 2018
Drejtoria e Policisë e refuzoi kërkesën për tubim të LRER, duke e kthyer atë për plotësim. Ndër argumentet që shoqërojnë refuzimin përmenden pikat 1 dhe 2 të nenit 5 në ligjin “Për tubimet”, që parashikojnë se njoftimi duhet dërguar jo më vonë se tri ditë përpara datës së zhvillimit të tubimit. Policia pretendon se njoftimin e ka marrë vetëm sot, por aktivistët i treguan Historia Ime se disponojnë edhe faturat e postës që provojnë se kërkesa është dërguar në datën 19 Maj. Në dëftesat postare më poshtë duket qartë se janë postuar dy letra nga LRER, njëra me marrës Drejtorinë e Policisë së Tiranës, tjetra me marrës Z. Ardi Veliu, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Foto: Dëftesat postare të letrave dërguar nga LRER
E nëse kjo është e vërtetë përgjigjet dhe veprimet e Policisë së shtetit janë të paligjshme në këto tre rrethana:
- Përgjigja e policisë shkel pikën 2 të Nenit 12 e cila parashikon: “Tubimet në vende të hapura për publikun mbahen edhe pa njoftim paraprak të policisë, spias nenit 5 të po këtij ligji”
- Data e dërgimit të njoftimit, 19 Maj 2018, e plotëson afatin ligjor. Por, në dokumentin e përgjigjes së policisë kjo datë ka ndryshuar dhe ajo nis me “Përgjigje kërkesës tuaj të datës 22.05.2018”
- Ndryshimi i datës në përgjigje, automatikisht sjell edhe shkeljen e një prej detyrimeve ligjore që ka policia sipas Nenit 6 të ligjit “Për Tubimet”, ku parashikohet se ridërgimi për plotësim duhet dërguar Brenda 8 orëve nga marrja e kërkesës për tubim.
Foto: Përgjigja e Drejtorisë së Policisë për rishikimin e kërkesës; 22 Maj 2018
Tubimi u konsiderua i paligjshëm dhe organizatorët u thirrën më së paku për tu verifikuar, megjithëse raportimi i medias, dëshmitë e pjesëmarrësve apo edhe vetë policëve që ishin aty mund të provojnë se ngjarja e sotme ka krejtësisht natyrën e një tubimit spontan paqësor. Nuk janë përdorur megafonë, pankarta e as nuk janë bërë thirrje në grup drejtuar institucioneve.
Për Vasilika Laçin, drejtuese e programit të Civil Rights Defenders në Shqipëri, policia vazhdimisht po e interpreton në mënyrë jo korrekte ligjin për tubimet: “Kanë quajtur të padrejtë një tubim i cili ishte lajmëruar me kohë dhe personat kishin marrë informacion. Ligi duhet të parashikojë më qartë edhe tubimet spontane, sepse tubime të tilla lejohen sidomos kur njerëzit kanë një arsye specifike për tu mbledhur në mënyrë të menjëhershme për të kërkuar një reagim si në rastin konkret”.
Një i ri i komunitetit Egjiptian ka humbur jetën në rrethana që të bëjnë të dyshosh për keqtrajtim apo neglizhim në dhënien e ndihmës së duhur mjekësor. E megjithatë, i vetmi reagim nga autoritetet apo institucionet shtetërore deri tani është thirrja në komisariat e aktivistëve që kërkojnë të zbardhet e vërteta.
/l.k./