Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe organizmat ndërkombëtarë të mbrojtjes së shëndetit publik, kanë publikuar gjatë javëve të fundit listën me mite mbi koronavirusin dhe masat që duhen marrë për parandalimin e tij.
Çfarë është Covid2019?
Covid2019 është quajtur koronavirusi me origjinë nga qyteti Wuhan i rajonit Hubei të Kinës, i cili preku për herë të parë njerëzit në vitin 2019.
Ky virus, i përket familjes së koronavirusëve, të quajtur të tillë prej formës së tyre të ngjashme me një kurorë. Koronaviruset rast pas rasti mund të kalojnë pa shfaqur shenja, por në rastet më të këqija të shkaktojnë komplikacione të MERS apo SARS, sëmundje që prekin rrugët e frymëmarrjes e mund të rezultojnë fatale për individë me komplikacione të tjera shëndetësore.
Mitet më të zakonshme
Vdekshmëria e të prekurve nga virusi – Ndërsa numri i të prekurve vijon të rritet, vdekshmëria varion nga 2% në 5% të rasteve ndër të prekurit. Vdekshmëria prej 5% vlen të theksohet se është shënuar vetëm në Wuhan.
Kurimi me antiobiotikë apo vaksina kundër pneumonisë – Pneumonia është një nga komplikacionet më të rënda të virusit, por vaksinat kundër pneumonisë nuk e parandalojnë atë, e as më pak antibiotikët, të cilët veprojnë vetëm mbi bakteret. Antibiotikët dhe kurat e tjera mund të përdoren te të prekurit, për të kuruar sëmundje bakteriale apo komplikacione që shkaktohen apo lehtësohen nga virusi.
Efektiviteti i alkoolit – Ndërkohë që larja e duarve dhe sipërfaqeve me alkool mund të vrasë virusin në ambjente të jashtme dhe sipërfaqe, për të prekurit përdorimi i tepërt i alkoolit për dezifenktim dhe larja e trupit me të, nuk përbën asnjë ndryshim.
Sërish alkooli duhet përdorur për higjenizim dhe pastrimin e duarve dhe sipërfaqeve.
Nuk ka asnjë formë shërimi nga koronavirusi – Edhe pse ende nuk ka një vaksinë kundër tij, në trajtim asgjë nuk ndryshon nga virusi i gripit të zakonshëm. Kurimi i simptomave dhe kujdesi i shtuar për mos avancimin e komplikacioneve, është mënyra më efektive për tejkalimin e virusit.
Njëjtë si viruset e gripit, personat me probleme kronike apo ato që kanë komplikacione shëndetësore në momentin kur preken nga virusi, mund të jenë më të rrezikuar.
Përhapja e virusit përmes kafshëve apo dërgesave postare – Transmetimi i virusit prej kafshëve shtëpiake nuk është i provuar shkencërisht. Rekomandohet larja e duarve si zakonisht pas prekjes apo kontaktit me kafshë, ndërsa e njëjta situatë vlen dhe për dërgesat postare, ku nuk është provuar transmetimi i virusit përmes tyre. Viruset nuk jetojnë gjatë në objekte, përfshirë letrat dhe pakot postare.
Simptomat shfaqen mesatarisht 10-14 ditë pas infektimit, dhe kjo mendohet të jetë dhe momenti kur virusi mund të infektojë më lehtësisht individët e tjerë.
Shqipëria ende nuk rezulton e prekur nga virusi dhe situata botërore ende nuk konsiderohet si një pandemi, ndërkohë që paniku thjesht vështirëson gjendjen psikologjike të qytetarëve.
Marrja e masave parandaluese nga të gjithë qytetarët, është metoda më efektive për parandalimin e virusit.
