Mendimi i parë i bukur, për këtë të premte, 8 maj, është për puritanët e gjuhës.
Mu kujtuan teksa po dëgjoja dje një bisedë në Instagram për vlerat feministe të librit “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit, mes sociologes Ermira Danaj dhe aktivistes Gresa Hasa, pjesë e aktiviteve që po organizohen në kuadër të paradës LGBT në Tiranë.
Në një moment znj. Danaj u përpoq të shqipëronte konceptin sociologjik “hegemonic masculinity” që nënkupton një qëndrim shoqëror që i socializon njerëzit me stereotipin e burrit që duhet të dominojë, ndërsa gruaja duhet t’i nënshtrohet hegjemonisë së tij.
Lista e koncepteve sociologjike të zbuluara nga studiues të huaj është e gjatë. Po i shtoj këtu vetëm disa: “moral entrepreneurs”, “bifurcated consciousness” e Dorothy Smith, “verstehen” e Max Weber…
Nevoja për t’i përkthyer në shqip (por jo edhe për t’i përvetësuar) termat që janë shpikur nga mendimtarë të huaj, buron nga një formë megafoni moralizues i njerëzve të shqetësuar se “shqipja po degradon”.
Ka një lajm të keq dhe një të mirë.
Lajmi i keq është që moralizues të tillë nuk ka vetëm në Shqipëri, e nuk ka vetëm në kohën tonë.
David Shariatmadari (ndjesë për shqiptimin) është një studiues anglez dhe kolumnist i “The Guardian”, i cili ka shkruar gjatë për gjuhën si konstrukt social e jo si një element i përcaktuar nga biologjia. Ai tregon se ekzistenca e këtyre puritanëve të gjuhës, pa ua vënë në dyshim në asnjë moment legjitimitetin e shqetësimit, është në shumë vende.
Një filozof anglez, për shembull, shkruante që në fund të shekullit 18-të se “gjuha jonë (dmth anglishtja) po degjeneron shumë shpejt”.
Para tij, Jonathan Swift i shkruante një aristokrati për “korrupsionin e gjuhës angleze”.
Lajmi i mirë, ka të bëjë me faktin që gjuha, e këtu patjetër edhe gjuha shqipe, ndryshon në mënyrë të pandërprerë. Eshtë shpejtësia e këtyre ndryshimeve, që mund të ndodhin shpesh brenda një brezi të vetëm, që na bën të ndihemi jo fort rehat me idenë që ca norma që ishin të zakonshme kur ishim të rinj, i shikojmë befas të humbasin rendësinë.
Që të kuptohemi: edhe nëse na duket e pamundur të përshtatim disa fjalë të huaja në gjuhën tonë, gjasat janë që na mungon fjala, por jo edhe koncepti. Problemi që unë kam është se, të bombarduar nga moralizimi për gjuhën, shpesh kemi frikë ta shijojmë atë proçes të brendësimit dhe të përvetësimit të fjalëve apo shprehive të huaja, brendësim që ka një natyrë unike edhe intime.
Ja për shembull, një mikja ime e gjeti versionin shqip të “moral entrepreneurs”. Ajo i quan ata: matrapazët e moralit…