Masat e reja për azilkërkuesit në Gjermani
Politika gjermane ka rënë dakort pas shumë diskutimesh, për masat e reja ndaj refugjatëve.
Një ndër masat më të rëndësishme është krijimi i qendrave speciale të regjistrimit, shërbim që hedh posht idenë e krijimit të zonave të tranzitit apo qendra ekstraterritoriale që do të çonin në izolim të azilkërkuesve.
Qendrat speciale të regjistrimit për refugjatët me shanse të pakta qëndrimi, do të vendosen në disa lande të Gjermanisë, aty ku mbërrijnë shumica e refugjatëve.
Në qendrat speciale të regjistrimit pritet të vendosen azilkërkuesit nga vendet e shpallura si vende të sigurta origjine, sidomos ata nga Ballkani, Shqipëria, Kosova, Serbia etj. Kërkesat e tyre për azil do të përpunohen shumë shpejt (deri në tre javë). Po në këtë mënyrë do të veprohet edhe me ata, të cilëve iu është refuzuar azili.
Një vendim për azilin, është edhe rezidenca e detyruar. Në kohën e qëndrimit në qendrat speciale azilkërkuesit nuk do të mund të largohen nga qarku i landit ku janë vendosur, ndryshe do t’u hiqen asistencat e do të pezullohet përkohësisht kërkesa e azilit. Në rast të përsëritur procedura e azilit mbyllet dhe personi kthehet sërish në vendlindje.
Krerët e partive qeverisëse në Berlin vendosën po ashtu përdorimin e një karte identiteti të refugjattit. Azilkërkuesit do të pajisen të gjithë me një dokument të tillë identifikimi kur shtrojnë kërkesën. Kush ka këtë kartë do mund të marrë edhe asistencat përkatëse.
Ndër masat e reja bëhet fjalë edhe për ndjekjen e kurseve të integrimit e të gjuhës gjermane. Mundësinë për të ndjekur këto kurse e kanë ata refugjatë që kanë shanse të mira qëndrimi në Gjermani. Federata pret që refugjatët të kontribuojnë vetë me një shumë të vogël në koston e kurseve të integrimit. /m.g
Burimi: Deutsche Welle