Kriza politike në vend merr përmasa kushtetuese

Prej muajsh tashmë forcat politike në vend nuk po ja dalin dot të dakordësohen mbi mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Partitë opozitare të dala nga parlamenti, kërkojnë formimin e një qeverie teknike deri në mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, ndërkohë që mazhoranca insiston në datën fillestare të 30 qershorit, si datë të panegociueshme për zhvillimin e zgjedhjeve lokale.
Javën e shkuar, gazeta gjerman Bild publikoi vazhdimin e përgjimeve, të cilat opozita i konsideron si provën më të qartë të blerjes së zgjedhjeve nga grupe kriminale pranë zyrtarëve të qeverisë. Ndërkohë që Prokuroria vijon hetimet mbi zyrtarët e përmendur në përgjime, qeveria dhe kryeministri Rama e konsiderojnë rastin si një fenomen të izoluar për të cilin personat përgjegjës do të dalin përballë drejtësisë.
Shtyrja e Zgjedhjeve
Ditën e shtunë, Presidenti Ilir Meta njoftoi një konferencë për mediat ditën e hënë, duke deklaruar anullimin e dekretit të tij që shpall 30 Qershorin si datën kur duhet të mbahen zgjedhjet lokale në vend. Në argumentat e Presidentit përmendet rreziku që thellimi i mëtejshëm i krizës politike ka për stabilitetin në vend dhe perspektivën e antarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë konferencës së ditës së sotme, Presidenti Meta firmosi dekretin duke u bazuar në precedentet e mëparshme të shtyrjes së datës së zgjedhjeve në vitet 2007 dhe 2017, duke deklaruar se “shfuqizimi i dekretit dhe rrjedhimisht dhe anulimi i datës së zgjedhjeve dhe shtyrja e tyre përtej periudhës zgjedhore të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, në kushtet kur bëhet për të mbrojtur vlera dhe parime kushtetuese, bazë për funksionimin demokratik të shtetit dhe institucioneve, nuk paraqet pengesa nga pikëpamja kushtetuese”.
Në argumentin e tij gjithashtu përmendet mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë si shenja të një krize të rëndë kushtetuese.
Argumenti juridik i Presidentit është paraprirë nga mendime të shumta nga konstitucionalistë dhe juristë, pjesë përbashkuese e së cilëve është vakuumi ligjor dhe paqartësia midis rreshtave, interpretim i cili mund të bëhet vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
Shkarkimi i mundshëm i Presidentit
Menjëherë pas përfundimit të fjalës së Presidentit Meta, Kryesia e Partisë Socialiste është mbledhur për të vendosur mbi qëndrimin e tyre parlamentar mbi situatën e krijuar.
Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë, zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali deklaroi se ditën e Enjte, në seancën plenare do të nisin procedurat për shkarkimin e presidentit.
“Të enjten në seancë plenare do të zhvillohet një debat i gjatë duke shterues ku do të paraqiten të gjithë argumentet se si Meta ka dhunuar republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë kushtetutë të quajtur cdekretim. Ky debat do të përmbledhë të gjithë argumentet dhe më pas do ti takojë Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ ta shqyrtojë. Meta e ka humbur të drejtën për të qenë në atë pozicion dhe parlamenti do të nisë procedurat e shkarkimit”- tha Spiropali, duke shtuar se “Do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese në fund por kjo nuk na heq në të drejtë për të nisur procedurat për shkarkimin e tij”.
Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, mbetet e paqartë procedura që do të ndiqet për të bërë të mundur shkarkimin e Presidentit nga ana e Parlamentit. Krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një proces që nuk pritet të finalizohet as në muajt në vazhdim, me vakanca të shumta të krijuara në sistemin gjyqësor dhe institucionet e reja te drejtësisë të cilat janë ende në formim.
Njëkohësisht dekreti i firmosur sot prej Presidentit Meta, bazuar në dy precedentët e mëparshëm i mbivendoset dekretit që shpall datën 30 Qershor si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vend. Edhe nëse zgjedhjet mbahen me datë 30 qershor, sërish do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese pas formimit të shqyrtojë vlefshmërinë e tyre dhe të gjithë veprimeve institucionale të ndërmarra në mungesë të funksionimit të saj.