Kontrolli shëndetësor falas, përfitues 900 mijë qytetarë
Qytetarët e grupmoshës nga 40 deri në 65 vjeç do të përfitojnë një herë në vit kontroll shëndetësor pa pagesë. Ministria e Shëndetësisë nis këtë të hënë punën për zbatimin e programit, nga i cili përfitojnë 900 mijë qytetarë në të gjithë vendin. Ky shërbim do të ofrohet në 415 qendra shëndetësore dhe sipas ministrit Beqaj në dispozicion do të jenë edhe 5 njësi lëvizëse të cilat do të ofrojnë shërbim në zonat e largëta. Në saj të tyre, theksoi ministri, do të mundësohet kontroll për ata që e kanë të pamundur për t’u paraqitur në qendrat shëndetësore. “Janë rreth 900 mijë shqiptarë të ftuar që një herë në vit të bëjnë kontrollin bazë shëndetësor, i cili ofrohet pa pagesë për çdo qytetar, pavarësisht nëse janë apo jo të siguruar. Përveçse në secilën prej 415 qendrave shëndetësore, kontrolli bazë do të ofrohet edhe me anë të 5 njësive të lëvizshme, të cilat do të jenë në dispozicion të qytetarëve që banojnë larg qendrës shëndetësore, dhe sidomos për zonat e thella, ku ndryshe nga procedura e zakonshme, ku kushdo do të mund ta bëjë kontrollin bazë gjatë muajit të lindjes, kontrolli do të ofrohet në periudhën 1 maj – 30 shtator të çdo viti”, tha ministri i Shëndetësisë Beqaj në konferencën e organizuar me rastin e ditës botërore të mbulimit universal shëndetësor. Në këtë tryezë ishin të pranishëm edhe drejtues të lartë të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, deputetë, si dhe drejtues e përfaqësues të Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën. Ministri vuri theksin edhe te mungesa e mjekëve specialistë në të gjithë vendin. Sipas tij, kjo bën që pacientët të mos marrin shërbimin e nevojshëm për të cilin kanë nevojë. Beqaj shprehu rezerva edhe për shërbimin e urgjencës, duke thënë se 70% të rasteve, qytetarët paraqiten vetë dhe jo me autoambulancë.
Marrë nga panorma.al