Italia investigon vdekjen e 26 vajzave adoleshenteve në detin Mesdhe
Autoritetet italiane po investigojnë shkakun e vdekjes së 26 adoleshenteve vajza, trupat e pajetë të të cilave u gjendën pranë brigjeve të Detit Mesdhe. Vajzat mendohet ti përkasin moshës 14-18 vjeçare dhe dyshohet se mund të kenë qenë emigrante nga Niger dhe Nigeria, të cilat kishin hipur gjatë fundjavës në anijen nga Libia me destinacion Europën.
Autoritetet policore shprehen për CNN se autopsitë do të zhvillohen të martën dhe presin rezultatet e mjekut ligjor për të parë nëse vajzat janë abuzuar seksualisht ose fizikisht. Trupat e tyre u gjetën pranë një varke të vogël gome e cila nuk i kishte shpëtuar dot vajzat pas mbytjes së anijes së madhe me të cilën ato udhëtonin. Punonjësit e ndihmës së shpejtë arritën të shpëtonin disa persona që arrinin të mbaheshin në mbetjet e anijes së përmbytur.
Ky aksion është një ndër 4 aksionet e tjera shpëtuese të zhvilluara në Mesdhe gjatë fundjavës. Në total 400 persona u shpëtuan nga anija spanjolle Cantabria përpara zbarkimit të tyre në portin italian të Salernos.
Libia njihet si pikë kalimi strategjike për emigrantët që kërkojnë të arrijnë brigjet europiane. Shumë refugjatë nga Afrika Nën-Sahariane zhvendosen prej luftës dhe persekutimit, kurse të tjerë për shkak të varfërisë në Afrikë, në Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, duke marrë rrugën e pashpresë për një jetë më të mirë.
Afrika veriore njihet si zonë e nxehtë për trafikantët njerëzore, të cilët kanë krijuar një rrjet trafikimi duke përfituar nga mungesa e një sistemi efektiv kontrollues. Që prej fillimit të këtij viti 2.839 emigrantë kanë vdekur teksa kanë kaluar Mesdheun sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin. Rreth 150.982 emigrantë e kanë arritur bregun europian dhe rreth 74% e tyre kanë mbërritur në bregdetin italian. /k.m/
Burimi: CNN