Pas publikimit të lajmit se prokurori Bujar Sheshi kishte qenë në të shkuarën agjent i sigurimit të shtetit, lista nuk duket të mbyllet me kaq.
Pas një interesimi nga ana e Top Channel, mbi zyrtarët që kanë qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit të shkuar, në përgjigjen e tij, Autoriteti i Dosjeve (AIDSSH) thotë se me zgjedhjen në organet e larta të drejtësisë janë verifikuar 294 kandidatë, nga të cilët 5 individë kanë rezultuar se figurojnë me dosje.
“Janë verifikuar kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Nga verifikimi, për 3 persona rezultoi se figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit; dy persona si subjekte proceduese ish-gjyqtar dhe ish-prokuror në procese penale politike (NS, FL) dhe një person si bashkëpunëtor (SV)”.
Por nuk duket të jenë vetëm institucionet e reja të drejtësisë që kërkojnë informacion, por edhe partitë politike.
“Me kërkesë të dy partive politike Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Aleanca Popullore për Drejtësi, janë verifikuar 285 persona në kuadër të verifikimit të figurës për kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, për zgjedhjet e 25 Qershorit. Nga verifikimi, 4 persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit”.
Edhe Ministria e Brendshme është interesuar të zbulojë se cilët janë ish-spiunët e Sigurimit të Shtetit në radhët e saj, nga ku prej 30 individësh të verifikuar, vetëm njëri ka rezultuar me dosje.
Bashkëpunëtorë të sigurimit duket të ketë dhe në Akademinë e Shkencave dhe Fakultetin Ekonomik në Tiranë, me nga dy persona në secilin institucion.
Numri më i madh i ish-sigurimsave duket të jetë në shërbimin diplomatik, ku nga 234 raste të verifikuara, 7 individë rezultuan me dosje.
Bashkëpunëtorë të ish-sigurimit ka dhe në Shërbimin informativ, Gardën e Repunlikës dhe organet drejtuese të pushtetit vendor. Figura me të shkuar të dyshimtë rezulotjnë të kenë kandiduar dhe për pozicionin e komisionerit pranë institucionit të Avokatit të Popullit dhe një prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Publik Shqiptar, rezulton gjithashtu bashkëpunëtor me sigurimin./ k.j