Irlanda futet në histori me Kryeministrin e parë gej
Politikani irlandez , i cili e ka shpallur publikisht që është gej, është zgjedhur si kryeministri i ri i Irlandës. Shteti irlandez njihet për vlerat e forta katolike, por pavarësisht kësaj ka bërë progres në çështjet e komunitetit LGBT në vitet e fundit.
Një referendum i vitit 2015 ka sjellë si risi për vendin martesat brenda së njëjtës gjini. Më shumë progres u shfaq ditën e djeshme kur politikani, Leo Varadkar u konfirmua si kryeministri i ardhshëm i vendit – lideri botëror i katërt në historinë moderne, publikisht i vetë-deklaruar si gej.
Politikani i cili ka shërbyer si Ministër i Mbrojtjes sociale, fitoi përkundrejt kundërshtarit të tij Simon Coveney me 60% të votave nga kolegji zgjedhor. Zoti Varadkar mbetet kryeministri i parë mes katër të tjerëve publikisht gej në historinë globale. Për momentin është vetëm një tjetër kryeministër gei duke shërbyer këtë detyrë, konkretisht kryeministri i Luksemburgut Xavier Bettel.
Në fjalimin e tij të fitores ai theksoi se emërimi i tij si kryeministër midis të gjithash tregon për rezultate progresiste dhe se paragjykimet nuk kanë vend në republikën irlandeze. Ai shtoi se babai i tij- një emigrant indian- do të ishte krenar që djali i tij do të gjykohej vetëm në bazë të veprimeve të tij, jo prej origjinës apo identitetit seksual.
“Miq të dashur, sot jam më se i nderuar për emërimin tim si lider i partisë pozitare. E pranoj këtë post me përkulje ndaj jush, por jam edhe i ndërgjegjshëm për sfidat që na presin përpara. Dua gjithashtu të falenderoj cilindo që u përfshi në një proces të tillë demokratik. Për ju që më mbështetët ju shpreh falenderimet e mia më të përzemërta duke iu premtuar se nuk do t’ju zhgënjej. Për ata që nuk më mbështetën, shpresoj që të fitoj besimin tuaj në vitet në vazhdim”.
Fitorja e tij u përshëndet dhe përgëzua nga aktivistët e komunitetit LGBT.
Moninne Griffith, drejtoreshë ekzekutive e “BeLong to Youth services” organizatë jo-qeveritare për mbështetjen e komunitetit LGBT në Irlandë shprehet ”Është një ditë historike për komunitetin LGBT+dhe me të vërtetë për të gjithë Irlandën teksa ne mirëpresim kryeministrin e parë publikisht gej, Leo Varadkar. Ky përbën një hap të madh drejt progresit për Irlandën dhe ne e përgëzojmë faktin se gara politike u fokusua në politikat dhe çështjet e saj, jo në orientimet seksuale”.
“Padyshim që ka ndodhur një ndryshim rrënjësor në Irlandë që prej ditës kur ndodhi referendumi për martesat brenda së njëjtës gjini. Por na duhet të jemi realist dhe të kujtojmë se ka akoma me mijëra të rinj nga komuniteti LGBT+ që vijojnë të hasin bullizëm, ngacmime për shkak të orientimit të tyre seksual dhe identitetit gjinor”
“Ka pasur një rritje në aksesin e të rinjve për shërbimet tona të ndryshme që prej referendumit. Çdo javë ne kemi rreth 150 të rinj që kërkojnë asistencë në shërbimet tona në Dublin dhe qindra të tjerë mbështeten nëpërmjet rrjetit kombëtar të grupeve tona të punës LGBT+”.
“Ne jemi të motivuar më shumë se kurrë për të përfaqësuar të rinjtë LGBT+ si edhe familjet e tyre duke nxitur bashkëpunimin me kryeministrin e ardhshëm irlandez”.
Përpara zgjedhjeve politike, politikani në fjalë doli hapur në një lidhje me partnerin e tij prej dy vitesh tashmë, doktorin Matt Barrett. Ai shprehet: ”Nuk është diçka që më definon mua. Unë nuk jam as politikani gjysmë indian, as politikani gej. Është thjesht pjesë e asaj çfarë jam unë, pa më përcaktuar në veçanti për këtë. Është thjesht pjesë e karakterit tim”.