Historia Ime shpall fituesin e Konkursit të Fotografisë
Historia Ime shpall fituesin e edicionit të pestë të Konkursit të Fotografisë. Artjola Hasa nga qyteti i Tiranës është fituesja e konkursit që ka për qëllim të nxisë aktivizmin dhe gazetarinë qytetare.
Punimi “Metamorfoza një ditore” ngre problemin e sigurisë ushqimore. “Shkelje të të drejtave ka e flitet plot, por kush u dëgjua të flasë për paketat hormonale “çudibërëse”, përveç dy a tre zërave të cilët gjatë kohës kur perimja merrte fuqi natën, ata zbeheshin në forcë” e përshkruan Artjola punimin e saj. Fituesja Konkursit të Fotografisë “Historia Ime” vlerësohet me 10 000 lekë.
Kriteri kryesor për përzgjedhjen e fituesit është përcjellja një mesazhi apo denoncimi i një problem social përmes fotografisë. Ndër kriteret e tjera të vlerësimit janë cilësia dhe origjinaliteti i fotografisë si edhe tematika e trajtuar e cila është e prekshme dhe aktuale.
Fituesi u zgjodh me votë nga stafi i gazetarëve dhe fotoreporterëve të Historia Ime, si edhe përfaqësues të Civil Rights Defenders që mbështet financiarisht këtë projekt.
Këtë edicion konkursi pati një numër të madh pjesëmarrësish nga Tirana, Saranda, Durrësi, Elbasani, Lushnja, Fieri etj. Në rreth 60 punime, dy punimet e tjera më të vlerësuara nga paneli ishin “Tirana Tjetër” nga Adi Korça dhe “Padrejtësi Sociale” nga Denada Dosti.
Historia Ime është një alternativë mediatike që synon të promovojë të drejtat e njeriut dhe të ndërtojë një përqasje më dinjitoze mediatike mbi çështje që ose nuk pasqyrohen, ose pasqyrohen keq apo në mënyrë të pamjaftueshme në median tradicionale shqiptare. /l.k/