“Historia Ime” hap thirrjen e pestë për Konkursin e Fotografisë
“Historia Ime”, i pari portal në mbrojtje të të drejtave të njeriut, hap thirrjen e pestë për Konkursin e Fotografisë.
Konkursi i Fotografisë për çështjet sociale është një mënyrë për të nxitur përdorimin e telefonave smart me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit ndaj faktorëve të ndryshëm që ndikojnë në jetën tonë të përditshme, në marrëdhënie me njeri-tjetrin apo me mjedisin.
Konkursi është i hapur për gjithë të rinjtë 16 – 35 vjeç, nga cilido qytet i Shqipërisë që kërkojnë të denoncojnë një problem apo të ndajnë me të tjerët një ngjarje shqetësuese. Fituesi do të vlerësohet me 10.000 Lek.
Në konkurs mund të merret pjesë me punime të reja, por edhe të publikuara më parë për sa kohë ju mund të provoni se jeni autor i tyre. Imazhet mund të paraqesin diskriminim etnik, për shkak të aftësisë së kufizuar, orientimit seksual dhe identitetit gjinor, diskriminim moshor (të rinj / të moshuar), situata e të pastrehëve dhe të papunëve, situata në burgje, spitale, mjedisin urban, hapësirat publike në vendin ku jetojmë dhe shumë më tepër.
Në konkurs NUK mund të merrni pjesë me:
- Fotografi, përmbajtja e të cilave përbën shkelje për të drejtat e njeriut.
- Fotografi që kanë shfaqje nudizmi, skena seksuale apo përmbajtje të tjera të pa pranueshme.
- Fotografi që përfshijnë dëmtimin e mjedisit apo ngacmimin e kafshëve nga ana e fotografit.
- Fotografi që paraqesin imazhin e fëmijëve (do të pranohen vetëm nëse zotërohet autorizimi nga prindërit).
Afati i fundit i dorëzimit të fotografive është 20 gusht 2017. Deri atëherë, punimet tuaja do të publikohen në portalin “Historia Ime”, si dhe në faqen e saj në Facebook.
Çmimi i parë – 10.000 Lek
Ju ftojmë të merrni pjesë në konkurs duke dërguar punët tuaja në adresën e emailit [email protected] në formën e mëposhtme:
Emër:
Mbiemër:
Qyteti:
Titulli:
Përshkrim i fotografisë (2-5fjali):
Shënim: Në konkurs mund të merrni pjesë me më shumë se një fotografi, apo foto reportazh.