Historia e hirushes trans (pjesa e parë)
I pëlqen ta thërrasin Hirushe, ajo është 24-vjeç dhe në intervistën e mëposhme ka rrëfyer për manifestimin e seksualitetit të saj, jetën dhe eksperiencat. Kështu do të mund të kuptojmë më shumë për personalitetin e Hirushes, mbi sfidat dhe dëshirën për t’ia dalë mbanë përmbi normat e ngurta shoqërore. Historia e saj është edhe më shumë frymëzuese se hirushja klasike, nëse skenari do të rishkruhej sërish sot, me siguri ajo do të ishte trans dhe gjithsesi shumë e fortë për të mbijetuar në një shoqëri patriarkale.
-Si lindi vetëdija jote…kur e kuptove momentin për të vendosur mbi përkatësinë tënde më së shumti emocionale, shpirtërore, apo dhe thjesht fiziologjike?
Le të themi se kisha njëfarë vetëdijeje se në çfarë komuniteti apo gjinie përkisja. Mbaj mend që nga klasa e tretë apo e katërt motra ime u fejua, dhe atëherë nisi ideja ime që i përkisja një bote tjetër, nuk i përkisja shoqërisë ku isha, ku mashkulli duhet patjetër të ishte mashkull. Unë gjithmonë mbyllesha në dhomë, përdorja rrobat e motrës, takat që i kisha fiksim dhe kjo më bënte të ndjehesha shumë mirë. Unë vishesha dhe sillesha si femër dhe motrat më shumë e morën si lojë, sepse unë imitoja mamin, motrën etj. Por kjo nuk vinte për t’i argëtuar ato, unë doja të argëtoja veten time…
-Përse zgjodhe ta vazhdoje si lojë në sytë e të tjerëve? Unë isha shumë inteligjent dhe shumë i vetëdijshëm, që ishte diçka e gabuar, sepse shokët e mi nuk i bënin, unë i bëja edhe mezi prisja të rrija vetëm dhe të flisja me veten time, mendoja se isha femër gjithmonë kur isha vetëm. Në momentin kur shihja një person që vinte nga jashtë, patjetër duhe të kthehesha dhe të bëja një rol sa më mashkullor. Ishte e pamundur, pavarësisht që më shpëtonin gjeste shumë femërore…kisha ato gjërat e mia personale si buzëkuqë dhe veshje femërore, si dhe doja të kisha gardrobën time të vogël e mezi prisja që familja të shkonte diku që unë të hapja dollapin… .
-Si e përshkruan marrëdhënien me njerëzit e familjes dhe si erdhi momenti vendimtar kur ti vendose që të mos shtiresh më?
Shumë të ngushtë dhe shumë të dashur. Nuk më ka munguar asgjë nga mami. Më ka dasht’ fort, por jo vetëm mami, nga të gjithë pjestarët e familjes kam pasur dashuri.
Mirëpo, atyre nuk u kam thënë… dhe vitet kaluan si pa u kuptuar. Gjithmonë mendoja me vete, si të largohesha nga shtëpia dhe si të isha vetëm unë dhe askush tjetër, ku shpesh pyesja veten; “Si ka mundësi, vetëm unë jam në këtë botë, si mundet një mashkull të dojë një tjetër… mashkull”?
Por, nuk arrij ta mbaj mend me saktësi sesi ka nisur e gjithë kjo, mendoj se ka qenë proces…
Në fillim kam pasur lidhje me një djalë që prej fëmijërisë, deri në klasë të nëntë, kur vendosa të largohesha nga familja dhe të bëja një jetë të lirë këtu në Tiranë. Domethënë në qytetin ku kam qenë, kam pasur gjithmonë një lidhje me një mashkull…
-Po ai çfarë pikëpamjesh kishte?
Ai ishte një djalë, nga e njëjta lagje. Por m’u desh të mësohesha me idenë, që me familjen e tij nuk duhet të flisja… Dhe duhet të takoheshim gjjithmonë fshehurazi… .
Tani kur kthehem në qytezë, ai me insistim më kërkon që të më takojë, por unë e kam humbur ndjesinë e të ndenjurit me të, nuk më tërheq më, ngaqë tani bëj një jetë tjetër, kam një shoqëri tjetër, kam persona të tjerë, sikur e kam humbur dashurinë që kisha për të. Në fëmijërinë time nuk e kuptoja dot jetën pa të. Kur luanim “shtëpish”, githmonë kam pasur dëshirë të jem motra ose mami, nuk doja rol mashkullor. Mbaj mend një fragment që teksa luanim, ai ishte burri, ndërsa unë gruaja dhe një moment që erdhi për të fjetur gjumë nga ne, motra kur erdhi u befasua që na gjeti të përqafuar. Motra ishe shumë e vogël dhe më është përmendur disa herë ky rast prej saj, por unë gjithmonë e kam anashkaluar dhe ajo e ka kuptuar që nuk më pëlqen të ma përmendë më.
-Nga qyteza je larguar në moshë të re. Si iu qase realitetit të Tiranës. Tirana është e dhunshme, besoj se ka qenë akoma më e dhunshme disa vite më parë kur t’u desh të vije këtu?
Unë kam ikur në fakt në moshën 18-vjeçare. Unë e shkëputa shkollën dhe ika në Greqi dhe atje e nisa shkollën për fizioterapi. Kam ikur në këmbë. Shkoi deri një javë në këmbë… Gjithmonë jo për të mbaruar një shkollë, por për të jetuar jetën time të lirë. Pastaj atje nga që isha në mbikqyrjen e motrës dhe vëllait, më futën në shkollë, nuk më lanë të kisha kontakt me këto pavarësisht së njifja…pastaj u ktheva këtu dhe këtu arrita të kuptoj që uk isha unë i vetmi që kisha tendencë seksuale për gjininë e njëjtë.
-Pse u ktheve nga Greqia, për t’i shpëtuar motrës?
Më kapi policia në fakt sepse me kapi pa dokumente. Isha në fazë për t’i bërë dokumentet…
Po ndërkohë i mbarova studimet. Ishin më shumë si një lloj kursi. Ishte masazh në parukeri-estetikë por jo mjeksore…pastaj erdha këtu dhe vazhdova punë në një market dhe pjesën tjetër duke bërë masazh. Aty nisën pastaj edhe njohjet… .
-Po
tani si janë marrëdhëniet me familjen, si e justifikon qëndrimin në Tiranë?
Jam
justifikuar se jam në punë, duhet të vazhdoj një jetë timen në punë… Unë kam
mbaruar për fizioterapi dhe kjo më ka bërë që unë ta justifikoj. Madje
ndonjëherë kur kthehem atje duhet të shkoj fshehurazi sepse disa nga klientet
që unë i kam bërë masazh kërkojnë të vijnë sërish.
Klientet e mia kanë qenë kryesisht gra, burra më rrallë, por nuk ka pasur asgjë
përtej kësaj sepse kam qenë në marrëdhënie pune.
-Ku fillove të bësh masazh?
Në personat që njihja, nëpër parukeri ku prisja flokët. Aty gjeta një gazetë. Ka qenë gazeta “Paloma” dhe ndërkohë që po prisja një kliente timen, po hapja gazetën dhe duke shfletuar, ishin ca faqe për numra. Nuk kisha idenë që në Shqipëri ekzistonte një gazetë e tillë. Aty gjeta një djalë, jam nga Shkodra, jam kështu, jam ashtu… E fiksova numrin, mbylla gazetën dhe vijova punën me klienten. Pastaj u njoha me të. Ishte personi i parë që njoha, pas të dashurit tim dhe herë pas here dilja me të. Ishte shumë më i madh se unë në moshë. Ishte 25-26 vjeç …
-Kujt i referohesh “pas të dashurit tim”, të dashurit aktual? Po, atij që kisha. Ai ishte në fazë që familja i kishte ikur në Amerikë edhe donin të tërhiqnin edhe atë. Ndërkohë kishin vazhduar debatet në mes meje dhe tij. Do të shkëputeshim domosdoshmërisht. Unë nuk e mendoja jetën pa të. E vuajta si pjesë. Pastaj iku në Amerikë, unë zura shoqëri me një person tjetër, por vetëm shoqëri sepse isha shumë e frikësuar, e shihja veten shumë femërore, nuk doja të kaloja shumë meshkuj sipër trupit tim, më dukej shumë e vështirë. E shihja veten si një vajzë normale dhe pavarësisht që unë isha një mashkull në pamje të parë, brenda meje isha shumë femër. Kjo më bënte që most të shkoja me çfarëdolloj njeriu, doja një partner stabël. Pastaj u njoha me të dhe kaluan shume vite. Aktualisht jam me atë. Jemi shumë mirë, ai është pak më i madh se unë në moshë, por e kuptojmë njëri tjetrin..
Por, nuk bashkëjetojmë sepse ai ka një familje
-Ka një familje heteroseksuale?
Po! Dhe kjo na pengon të bashkëjetojmë. Ai dëshirën seksuale e ka kundrejt meshkujve, ama ka një familje, ka dy fëmijë kurse pjesën tjetër të kohës e kalon me mua. Kështu i bie. Pavarësisht dëshirave të tij, unë nuk mundem që të shkatërroj një familje duke plotësuar dëshirat e mia. Unë nuk e jetoj dot jetën time mbi kurrizin e vuajtjeve të dikujt tjetër. Është një grua që do të vuajë në këtë mes, janë dy fëmijë që kanë nevojë për babain e tyre dhe këtë nuk ma lejon ndërgjegjja dhe ka arritur një pikë ku unë jam ulur dhe kam folur me të. Gjithsesi planet tona janë të ikim jashtë, por nuk e di si do të shkojnë gjërat…
Pjesa e dytë e intervistës, do të botohet në vijim.
Kjo intervistë është e ndaluar të riprodhohet apo të botohet pa të drejtën e autorit.