Hetimi italian: Shqipëria bazë rekrutimi për ushtarët e ISIS
Hetimet e fundit të Italisë, në bashkëpunim dhe me autoritetet shqiptare, e kanë identifikuar vendin tonë si bazë për rekrutimin dhe trajnimin e ushtarëve të shtetit islamik ISIS. Në Shqipëri janë identifikuar qendra trajnimi dhe propagande dhe qindra militantë, disa prej të cilëve sipas hetimeve, janë në kontakt të vazhdueshëm me persona që lëvizin në Itali dhe veçanërisht në Breshia.
Gjatë një takimi të mbajtur në Romë disa javë më parë në lidhje me situatën në fjalë, prokurori i Përgjithshëm i Breshias Luigi maria Dell’Osso tha se janë zbuluar të dhëna për një numër të konsiderueshëm personash që i qëndrojnë perspektivës propaganduese të ISIS dhe një pjesë e madhe e tyre janë dërguar në vendet ku trajnohen dhe luftojnë.
Prokurori Dell’Osso konfirmon se Shqipëria është identifikuar si bazë rekrutimi, trajnimi dhe organizimi e integrimit të subjekteve në kontakt në mënyra të ndryshme me persona që banojnë në Breshia.
“Prokura e anti-terrorizmit në Breshia, po bashkëpunon intensivisht me autoritetet shqiptare. Këta të fundit kanë kuptuar se ekzistonte një rreth me qindra persona që merreshin me organizimin e rekrutimeve të luftëtarëve e që në fakt ishin një pikë referimi e tërheqje drejt kësaj forme fanatizmi. Disa kontakte të këtyre personave silleshin në Breshia ndaj dhe nisën hetimet”, – u shpreh ai.
/shqiptarja.com