Foto/ Gjendja e mjerueshme e maternitetit të Lezhës, prej vitesh asnjë investim
Materniteti i Lezhës, ndonëse ka një fluks pacientësh nga tre rrethet e qarkut Lezhë, prej vitesh ka mungesë investimesh në godinë dhe aparatura. “Shëndeti.com” raporton se ka mungesë të mjekëve specialist, infrastrukturës, rrjetit hidraulik e kushteve të tjera si shtretërit dhe higjena.
Një prej nënave që sapo ka sjellë në jetë fëmijën e parë, e pyetur nga “shëndeti.com” për kushtet në spital thotë: “Jam e kënaqur me shërbimin nga bluzat e bardha, kanë fituar eksperiencë dhe kanë një komunikim të mirë. Por kur shikon se ka rënie të suvasë, shkallë të dëmtuara, lagështirë apo dhe kabllo elektrikë që varen, sikur errësohen gjërat.” Ajo shton se pajisjet në maternitet janë të vjetra, ndërsa ilaçet mungojnë.
“Besoj se këtë e pranojnë edhe vetë mjekët. Ka shumë nëna që sakrifikojnë dhe i blejnë jashtë. Kushtet duhen përmirësuar patjetër. Këtu lind jeta dhe përkujdesja duhet të jetë më e madhe”, përfundon ajo.
Shefi i maternitetit të Lezhës, Leon Kaza e konsideron të papranueshme këtë situatë dhe kërkon ndërhyrjen e qeverisë.
I pyetur nga “Shëndeti.com”, drejtori i spitalit të Lezhës Novruz Bare ka thënë se spitali ka nevojë për një rikonstruktim të thellë.
“Ne jemi munduar që çdo vit të bëjmë ndërhyrje nëpërmjet buxhetit që kemi, për të bërë rikonstruksion të pjesshëm të atyre shërbimeve që kanë më shumë nevojë. Përsa i përket nevojave për pajisje mjekësore, aty ka nevojë për një eko gjinekologjike, jo se nuk është, por është një eko e një viti prodhimi më të hershëm”, ka thën Novruz Bare.
Lidhur me mungesën e ilaçeve, Bare thotë se vetëm një medikament ka munguar për një kohë të gjatë, por që ndërkohë spitali nuk ka asnjë mungesë.
Gjendja e maternitetit të Lezhës/ Foto: “Shëndeti.com”
Burimi: *Altin Mema/ Shëndeti.com.al
/l.k./