E tmerrshme! Si mund ta trajtoni një fëmijë ashtu?!
NGA:BLERINA GJOKA*
Edvana, Albert dhe Manjola mund tju bëj një pyetje të thjeshtë…a jeni qenie humane ju? A jeni prindër, motra apo vëllezër të dikujt, a jeni fëmijë të një nëne e babai? Nëse do të përgjigjeni po…atëherë do ju pyes a mundet që një qënie humane ta trajtojë një fëmijë ashtu siç i trajtoni ju ata fëmijë për të cilët do të duhet të kujdeseni? Si mundet që kur një fëmijë rrëzohet të mos e ndihmoni të ngrihet, të mos e pyesni a u vratë? Ti thoni s’ka gjë, vritesh dhe
rritesh, do të dhembe pak dhe do të kalojë. Kaq të vështirë e keni të thoni një fjalë të mirë…dreqi ta hajë paguheni për ta thënë atë fjalë. Edhe pse paga juaj mund të jetë e ulët, dhe pse mund të mos jeni fare edukatorë, të mos keni diplomë në edukim, po të jeni thjesht militantë të një partie që ju ka gjetur një punë aty në jetimore, prapë kjo sju bën kafshë.
Po si mundet moj Edvana dhe Manjola të qëllohet një fëmijë me shqelm?! Si mundesh tu ulësh fëmijëve në prehër dhe e qara e tyre të mos të prekë fare zemrën tënde (nëse ke një zemër)? Edhe nëse ti kur ke qenë fëmijë të kanë qëlluar me shqelm, të kanë fyer, të kanë rrahur….pse duhet tua bësh ti këtë fëmijëve?
Një pyetje për pundhënësin…shtetin tonë, drejtuesit e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër. Kur i morët në punë këta njerëz a u keni bërë një pyetje të vetme, të thjeshtë; A i doni fëmijët?
Kaq pak duhet për të punuar në atë jetimore, të duash fëmijët. Ka që si duan fëmijët dhe zgjedhin të mos bëhen prindër, të mos merren me fëmijët, bëjnë punë të tjera, është e drejta e tyre, se për të punuar me fëmijët, për tu kujdesur për fëmijët së pari duhet ti duash fëmijët. Së paku duhet të të vijë keq për ta, edhe sikur të të vijë keq si për qentë e rrugës së braktisur (megjithëse e gabuar kjo se ata meritojnë gjithë dashurinë dhe respektin si fëmijë normal e qytetarë të këtij vendi) po të paktën të ndjesh keqardhje. Po ju as keqardhje nuk ndjeni. Nga kjo video e tmerrshme ju dukeni që i përbuzni këta fëmijë, ju i trajtoni si kafshë sepse besoni se ata nuk e meritojnë të trajtohen ndryshe, sepse në gjykimin tuaj (dritëshkurtër e mendjengushtë) ata se meritojnë jetën sepse janë kopila, janë të braktisur, janë jevgj…. ja ky është problemi juaj i madh, ky është problemi i madh i shtetit, i intitucionit që duhej ti mbronte, ti edukonte e të kujdesej për ata fëmijë. I quan ata si mbetje e shoqërisë dhe i rrit me përçmim.
Të mos flasim këtu për ato dhjetra organizata që janë ngritur për mbrotjen e fëmijëve që thithin miliona euro për mbrojtjen e fëmijëve, që ngrenë linja telefoni ku denoncojnë fëmijët. Ku janë ata sot? Duke pirë kafe në baret e Tiranës e duke bërë ndonjë koment në facebook, ku shprehin indinjatën e tyre si ‘kofini pas të vjelave”. Pika që su bie këtyre njerëzve gjoja partizanë të shoqërisë civile! Pika që su bie dhe ambasadave që i ngopin ata me lekë me projekte që prodhohen dhe vdesin brenda zyrave të tyre!
Për fëmijët, ata të pambrojturit, të braktisurit, të përçmuarit, për jetimët kush dreqin mendon? Të mos flasim sot se jemi jashtë kontesktin për dhjetra e qindra fëmijë që dhunohen nga prindërit e tyre, nga kjo shoqëri që shpullën, dhunën e frikën e ka në themel të familjes e të marrëdhënieve. Sot është e tepërt të flasim për prindërit dhunues, sepse kemi shtetin dhunues para syve tanë, dhunues të qenieve më të pastra, më të pambrojtura, më të pafajshme që mban kjo tokë.
Ajo që duhet të na bëjë përshtypje është sjellja e njëllojtë e padenjë e të tre edukatorëve që janë punësuar për tu kujdesur për këta fëmijë. Pra nuk është problemi se paskemi një grua mostër, që s’ka njerëzillik dhe dhunon fëmijët…se kështu kemi plot mama që dhunojne kalamajtë e tyre, por kemi një problem mendësie. Mendësia e institucionit, e shtetit, shoqërisë sonë i konsideron ata fëmijë si të padëshirueshëm, kopila, të braktisur, rracë e keqe e kështu me radhë. Ky mendim çon tek përçmimi i tyre dhe dhuna e këtyre edukatoreve është vetëm një shfaqje e këtij përçmimi.
Nëse shkullet kjo mendësi e gabuar nuk besoj se do ndodhte kështu, do ishin raste të veçuara, por jo të tre kujdestarët, qe të tre të silleshin në mënyrë kafshërore. Nëse drejtuesit e këtij institucioni nuk do të punësonin ca militantë partie, por do të bënin minimalisht një intervistë pune, nje trajnim dy orësh ku tu thonin që këta fëmijë kanë të drejta, këta fëmijë meritojnë gjithçka, dashuri, respekt, kujdes si çdo fëmijë tjetër, se këta fëmijë do të jenë nesër pjesë e shoqërisë tonë, sa me mire t’i edukojmë aq më e mirë do te bëhet shoqëria jonë, s’do të kemi vrasës dhe të droguar, por të rinj me vetbesim dhe të punësuar. Po sikur minimalisht tu kishin thënë kur i morën në punë se; nëse i dhunoni do të pushoheni nga puna, do të dënoheni, kaq do të kishte mjaftuar që ata të mendoheshin para se të silleshin si kafshë.
Edvana, Albert dhe Manjola për ju nuk mjafton procedimi penal, as dënimi me burg. Turp të kini që i thoni vetes qenie njerëzore! Turp nëse jeni prindër….nëse nuk jeni duhet ta mendoni mirë para se të bëheni se nuk mund të bëhesh një prind i mirë për fëmijën tënd kur dhunon një fëmijë. Fëmijët meritojnë dashuri, kujdes dhe të drejta të gjithë njësoj.