E quajti kazan, gazetarja e “Le Iene” përgënjeshtron Edi Ramën
Gjatë turit të tij në Dibër dy ditë më parë, Kryeministri Rama vizitoi edhe Bulqizën ku drekoi në një familje të fshatit Valikardhë. Edhe në këtë rast Rama nuk harroi të kritikonte mediat. Këtë herë “kazani” ishte reportazhi i emisionit investigativ italian “Le Iene” në Italia 1, mbi të miturit që mbledhin krom në Bulqizë.
“Më erdhi inat me ca italianë se edhe atje kazanë ka sa të duash. Kishin bërë një reportazh të ndyrë për Bulqizën, me filmime të vjetra, me fëmijë që turreshin për të mbledhur krom. Faktikisht sot nuk është si fenomen, ishin filmime të vjetra. Ja Shqipëria, turren, tmerr”, tha Edi Rama gjatë drekës me banorët e Bulqizës.
Dy ditë pas kësaj deklarate ka reaguar gazetarja e “Le Iene”, Alice Martinelli e cila vizitoi Bulqizën për të realizuar reportazhin më pak se një muaj më parë.
Reagimi i plotë i gazetares Alice Martinelli:
Dikujt, kronika jonë për fëmijët shqiptarë që shkojnë të mbledhin krom i ka shkaktuar bezdi.
Edi Rama, kryeministri shqiptar, gjatë një pasarele në favor të telekamerave ka thënë se “Le Iene” janë “një emision kazani” dhe na akuzon se kemi realizuar “një reportazh m*ti me imazhe të vjetra, mbi një fenomen që nuk ekziston më”. I dashur kryeministër Edi Rama e kuptoj se reportazhi ynë nuk ju ka pëlqyer, por për një gjë të rrini i qetë: është xhiruar mes 14 dhe 16 tetorit 2017, më pak se një muaj më parë. Nëse pamjet që keni parë nuk ju mjaftojnë (jam e pranishme unë në 90% të pamjeve, si mund të jetë një kronikë e vjetër?), kemi gjithë provat që e dëshmojnë: filmime dhe fotografi me datë, dhe faturat e qëndrimit tonë.
Por më thoni, duke qenë se mund t’iu dëshmojmë se është gjithçka e vërtetë dhe aktuale, ju tani do të bëni ndonjë gjë për fëmijët nga Bulqiza dhe për familjet e tyre? Sepse, ne i pamë me sytë tanë të mbledhin gurë dhe më pas t’i shesin me 0,10 qindarka kilja.
Ashtu sikurse kemi parë se kur bie nata, një pjesë e qytetit është tërësisht në errësirë. Dhe se kushtet strukturore dhe higjienike të disa shtëpive janë të tmerrshme. Ju çfarë mendoni të bëni?
https://www.facebook.com/alicemartinellitv/posts/233362637198071